Transmetuar më 25-10-2021, 18:46

Procesi i hapjes së negociatave për Shqipërinë vijon të mbetet i bllokuar, pavarësisht se në raportet e saj KE vlerëson progresin me reformat.

Por kryetari i PD, Lulzim Basha beson se ngërçi vjen për shkak të korrupsionit galopant. Lideri i PD nxori nga foltorja e Kuvendit një grafik që sapas tij tregon korrupsionin në Shqipëri.

Duke iu referuar “World Justice Project”, ku rezulton se Shqipëria renditet në vendin e 105-të në botë për korrupsion, Basha tha se Shqipëria meriton hapjen e negociatave vetëm me Unionin Afrikan.

“Dhe kur vjen fjala te korrupsioni, një nga faktorët e matur nga “World Justice Project”, Shqipëria e drejtuar nga ju mban vendin e 105-të në botë, pra jo vetëm korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon, por na keni renditur pas Beninit, Egjiptit, që mbajnë vendin e 103-të dhe të 104 dhe ndiqemi nga Zambia dhe Mozambiku, të 106-tët dhe 107-tët.

Shikoni, është i vetmi europian në listë. Ky është pozicioni në të cilin meriton të jetë Shqipëria? Fryhet lartë e poshtë ekraneve, duke nanuritur se po bën shtet. Ky është shteti që ke bërë? Me këtë nivel korrupsioni, mund të hapësh negociatat me Unionin Afrikan, se në Bruksel, të 105-tët në botë për, nuk na pranon njëri”, u shpreh Basha.

Basha theksoi se nga ryshfeti më së shumti preken bizneset, të cilët humbasin rreth 550 milionë euro në vit.

“Një tjetër raport që dua të sjell përpara vëmendjes së qytetarëve sot, është ai i kryer nga Banka Botërore dhe BERZH në 141 shtete. Ky është një nga vrojtimet më prestigjioze të botës për matjen e korrupsionit që hasin bizneset.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe BERZH, sipërmarrjet shqiptare paguajnë mesatarisht 3.1% të xhiros së tyre vjetore si ryshfet për zyrtarët dhe politikanët. Kjo shifër është tre herë me e lartë se ajo e raportuar në vitin 2013.

Fatkeqësisht, taksa e ryshfetit, e rendit Shqipërinë të dytën në botë pas Zambias. Pra edhe njëherë kemi një zhvendosje në një tjetër kontinent të vendit tone, në Afrikë, për shkak të korrupsionit.   Një tjetër mënyrë krahasimi që e bën të dukshme pengesën përballë të cilës ndodhen sipërmarrjet tona, kur nuk duhet të konkurojnë vetëm me tregjet e tjera, por duhet edhe të luftojnë për mbijetesën me pushtetarët dhe haracvenesit e tyre, që e ju nxijnë jetën, e bëjnë të pamundur të bërit biznes.

Kjo pengon rritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve vendase, e njëkohësisht pengon edhe investitorët e huaj, që përpara se të vijnë këtu për të investuar paratë e tyre, studiojnë po të njëjtat të dhëna që kemi përpar nesh.

Sipas përllogaritjeve, taksa e ryshfetit u kushton bizneseve shqiptare rreth 550 milionë euro në vit në raport me xhiron e tyre, ose 1.5 milionë euro në ditë.   Ky nuk është vetëm një fitim i munguar për sipërmarrësit, të cilët janë të detyruar të veprojnë në një treg jo konkurues ku mbizotëron konkurenca e padrejtë e klientëve të qeverisë, por do të thotë edhe më pak të ardhura për shtetin.

E nëse kjo shumë nuk do të shkonte për të nginjur orekset e të korruptuarve, një pjesë e tyre, në duart e një qeverie të përgjegjshme, do të shndërrohej në investime në infrastrukturë, në shkolla, spitale, në subvencione për fermerët, në grante për sipërmarrje të celura nga të rinjtë dhe të rejat, në rritje pagash për mjekë e mësues, në ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, në pensione më të dinjitetshme për gjyshet dhe gjyshërit që janë të goditur e parë të cmimeve që njohin vetëm rritje, në kompensim për pronarët dhe ish të përndjekurit.   Mund të bëhej shumë, por bëhet një asgjë e madhe, sepse ato para përfundojnë në majmjen e një kaste të korruptuar që e trajton Shqipërinë si plackë. Pra, përtej revoltës që mund të shkaktojë pozicioni ku kjo qeveri e ka zhvendosur vendin, në këtë gjeografinë e republikave të bananeve, këto renditje janë pasqyimi i gjendjes në të cilën ndodhet Shqipëria sot.

Me pasoja që lexohen qartë në krizën ekonomike, politike, sociale dhe demografike, që në thelb është një krizë korrupsioni, e cila pengon vendin të ecë përpara. Pengon shqiptarët të zhvillojnë potencialin e pakufishëm që kemi si popull dhe si titullarë legjitim të një vendi të pasur, por mizorisht të vjedhur.   Sepse korrupsioni gjendet kudo. Te çmimet e energjisë, te ato të karburanteve, te mungesa e ilaceve nëpër spitale, te mungesa e vendeve të reja të punës, te pagat dhe pensionet e ulta, te listat e gjata nëpër ushqimore, te produket që flaken në kanale, te prona e mohuar dhe e pakompensuar, te krimi që merr për kot, te varfëria që rritet, te radhët e të rinjve dhe të rejave te ambasada gjermane, apo te pritja plot ankth e llotarisë amerikane.

Të gjitha këto janë simptoma të një plage që gërryen themelet e shtetit, që vret demokracinë, që pengon zhvillimin e vendit.

Megjithatë unë e di që nuk është e mjaftueshme të flasësh për korrupsionin dhe të denoncosh atë. Ai duhet mposhtur. Ndaj 5 ditë më parë, Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë amendamentet kushtetuese në lidhje me 3 prioritete absolute për të nxjerrë Shqipërinë dhe shqiptarët nga depresioni, nga kriza dhe gjendja e mjerueshme, produkt i tetë viteve të keqqeverisjes, të korrupsionit dhe të shkatërrimit të çdo institucioni, duke përfshirë edhe institucionin e votës së lirë.

Këto tre çështje kryesore që pasqyrohen në amendamentet tona kushtetuese kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore, në të gjitha aspektet e saj, për ta kthyer Shqipërinë në shinat e legjitimitetit dhe demokracisë.

Me Reformën Territoriale, për të zhbërë dështimin katastrofik të reformës elektorale, që u hoqi shqiptarëve 25 vite progres të ngadaltë në vendosjen e decentralizimit të pushtetit lokal, duke e larguar shërbimin nga qytetarët”, tha Basha.