Transmetuar më 25-10-2021, 21:55

Në një mjedis të elektrizuar prej dy tifozërive, të zjarrta në maksimum, që çuan në ndërprerjen e ndeshjes qysh në fillim, sepse i “vunë zjarrin” stadiumit me fishekzjarret dhe flakadanët e shumtë, u luajt derbi i madh i kryeqytetit. Tirana fitoi minimalisht, duke konsoliduar kreun e Superiores edhe pas javës së 6-të të Superiores.

Nga ana tjetër, Partizani mbetet në krizë rezultatesh, tashmë edhe psikologjike, sepse humbja e derbit rëndon shumë mbi supet e të kuqve. Që në fillim duhet nënvizuar fakti që nuk i shkon aspak një skuadre si ajo e kuqe: 6 javë kampionat, asnjë fitore.

Në çfarëdolloj situate tjetër, trajneri Ilir Daja do të ishte seriozisht në pikëpyetje. Megjithatë, javën që kaloi, presidenti Gaz Demi e votëbesoi trajnerin e tij, duke thënë se nuk largohet edhe po humbi derbin. Mbetet për t’u parë si do të zhvillohen gjërat në këtë drejtim, sepse me këtë ecuri diçka duhet ndryshuar, ndryshe të “lahen duart” me titullin shumë herët.

Një lojë mjaft luftarake nga të dyja skuadrat, e denjë për përballje të tilla antagoniste, me Partizanin që krijon më shumë volum loje, por kur afrohet te zona e 16 metrave të kundërshtarit, sfumohet totalisht. Rrezikshmëria në sulm e të besuarve të Ilir Dajës është thuajse zero.

Nga ana tjetër, bardheblutë janë më të ekuilibruar në fushë, nuk kalojnë në aventurë dhe mbrohen me shumë siguri. Kuptohet, sulmi i tyre është më i fuqishëm, falë Ngo dhe Seferi. Të dy krijojnë pështjellim të madh në prapavijën e “demave”. Duhej të vinin minutat shtesë të pjesës së parë, që me ndihmën e VAR-it të akordohej penallti për 25 herë kampionët e vendit.

Nga pika e bardhë nuk gaboi Limaj. Pjesa e dytë ishte më kërkuese për të kuqtë, që bënë edhe zëvendësime për të freskuar skuadrën, por ndeshën në prapavijën e pakalueshme të Tiranës. Trajneri Shehi i udhëzoi të tijtë që të luanin disi më të tërhequr, të mos krijonin asnjë hapësirë për kundërshtarin, duke qenë në avantazh.

Pra, detyrë parësore për bardheblutë doli mbrojtja e fitores minimale, pastaj me anë të kundërsulmit të mund të godisnin sërish. Taktikë që rezultoi mjaft efikase, sepse në fund e mbajti të paprekur portën e Bekajt dhe shtoi tri pikë tepër të çmuara në llogarinë e kryesuesve të Superiores.

Partizani i Dajës mbetet në vendin e 7-të të klasifikimit aktual, me 4 pikë, aq sa ka edhe Kastrioti i parafundit. Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë për “demat”.