Transmetuar më 26-10-2021, 10:07

Gjuha shqipe po bastardohet thuajse nga të gjithë, deri edhe në media. Ky është një krim kombëtar, në fakt, sidomos kur konsumohet nga autoritetet zyrtare shtetërore, por jo vetëm. Kemi parë shkresa të shumta të institucioneve të ndryshme me gabime të pafundme ortografike.

Shembulli më negativ i mundshëm ishte teksti i dorëheqjes së ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, me të paktën një gabim gjuhësor në çdo fjalë. Alarami ka kohë që është dhënë nga specialistët e fushës, se me këtë ritëm të fjalëve të huaja, të gabimeve drejtshkrimore, shqipja do të vihet në “cep të ringut”, por askush nga institucionet përgjegjëse shtetërore nuk ka lëvizur as gishtin.

Mund të jetë një imazh i 11 persona dhe njerëz në këmbë

E meqë jemi tek institucionet shtetërore, po ndalemi pak te Bashkia e Kamzës. Sigurisht, kryebashkiaku Rakip Suli nuk e njeh mirë drejtshkrimin e shqipes, as policët bashkiakë, por në tërë ato punonjës që hyjnë e dalin përditë aty, s’i nuk qenka njëri prej tyre që ta shohë të zezën mbi të bardhë, se nuk shkruhet “policis bashkiake”, por “policisë bashkiake”.

Shquarsinë e emrit “polici” nuk e njihka ai që e ka shkruar banderolën, para së cilës pozon kryebashkiaku Sulid he bën këtë status: Mirëmëngjes! E nisëm ditën me Policinë Bashkiake, në shenjë falenderimi dhe mirënjohje për punët e palodhura, kontributin në sigurinë e qytetarëve dhe vendosjen e rendit në qytet”.

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme

Ama, kjo nuk e nderon aspak, sepse ka zyrë shtypi me punonjës që presupozohet ta dinë shqipen më mirë se ai, ka zyrë protokolli, që duhet të bëjnë gati shkresat e ndryshme zyrtare, etj. etj. Mund të bësh rrugë, ujësjellësa, kanalizime pa fund, del e mburresh edhe para punës së përditshme të policisë bashkiake, por kur nuk di t’i shkruash asaj emrin, e shumëzon gjithçka me zero.

Sepse, para se të jetë kryebashkiak Rakip Suli apo kolegë të tjerë të tij, janë shqiptarë. Si të tillë, me petkun e zyrtarit, nuk mund të prodhojnë të tilla “thagma” gjuhësore, me të cilat tallet edhe një nxënës i kalës së katërt, që ka marrë vetëm bazat e gjuhës së bukur e të lashtë shqipe.