Transmetuar më 26-10-2021, 14:38

Kryeministri Rama jep lajmin për njohjen e patentave shqiptare në Gjermani.

Gjatë replikave me një komentues në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama informoi sot se “procesi i njohjes së patentave shqiptare në Gjermani, është në fazën e fundit të miratimit në Bundesrat, dhoma e landeve të Gjermanisë”.

Kryeministri replikoi me një komentues në lidhje me shërbimet në Drejtorinë e Transporteve, duke shtuar se “kjo arritje nuk do ishte e mundur në rast se ky institucion do të ishte i mbytur nga korrupsioni dhe injoranca”.

“Kush merr shërbime sot në institucionet e Drejtorisë së Transporteve e di mirë se nuk të mbyt as korrupsioni, as injoranca, sepse shërbimet kalojnë përmes sistemeve digjitale që nuk njohin as militantë, as kushërinj. Dhe kaq e vërtetë është kjo, sa që e provon fakti që procesi i njohjes së patentave shqiptare në Gjermani, gjë që as nuk mendohej dot deri disa vite më parë, sot është në fazën e fundit të miratimit në Bundesrat, dhoma e landeve të Gjermanisë! Sharjet e përqeshjet nuk janë argumente”, tha Rama.