Transmetuar më 26-10-2021, 16:58

Policia e Shtetit duket se është fare pranë kapjes së autorëve që torturuan dhe grabitën biznesmenin Nazmi Çangu në Nikël të Krujës. Albert Dervishaj, zv.drejtor i Policisë së Shtetit, deklaroi sot se autoritetet kanë siguruar prova dhe kanë punuar intensivisht për zbardhjen e grabitjes dhe dhunimit të biznesmenit Nazmi Çangu në Fushë Krujë. Sipas Dervishajt, shumë shpejt do të ketë lajme pozitive për këtë ngjarje.

“Është një ngjarje e rëndë dhe po punohet në mënyrë intensive. Është drejt një zbardhje. Brenda një kohe të shkurtër do kemi rezultate pozitive. Do kemi disa persona…. Për të dëmtuarin do vihet e drejta në vend, dhe autorët do dalin para drejtësisë”, u shpreh zv.drejtori i Policisë.

Dervishaj tha vetëm se Policia është “në gjurmë të mira” dhe shumë shpejt publiku do të njihet me rezultatet e hetimeve që ka bërë Policia Kriminale, në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese. Ai nuk mund të jepte më shumë detaje sepse rrezikon të cënohen hetimet, por publiku do ta mësojë shumë shpejt zbardhjen e grabitjes.

“Policia Kriminale po punon intensivisht, por unë kaq informacion mund të jap, sepse cdo gjë tjetër mund të cënojë hetimet”, tha Albert Dervishaj. Zv.drejtori i Policisë së Shtetit përjashtoi çdo mundësi që efektivë të Policisë të jenë përfshirë në grabitje, duke qenë se sipas biznesmenit Nazmi Çangu disa nga grabitësit kishin veshje si policë.

“Ka disa mënyra që autorët përdorin për të realizuar një aktivtet kriminal. Një mënyrë është dhe kjo, ata prezantohen si policë. Mbajnë dhe uniforma të stërvitjes të cilat i sigurojnë në rrugë të jashtëligjshme. Kjo ngjarje nuk ka lidhje me Policinë e shtetit”, tha ai.

Në Neës 24, numri dy i Policisë tregoi se në Krujë është vënë në dispozicion të Policisë një njësi e ndërhyrjes së shpejt, me urdhër të drejtorit Gledis Nano, për të mbajtur nën kontroll elementin kriminal dhe për t’i ardhur në ndihmë strukturave lokale për çdo ngjarje.