Transmetuar më 26-10-2021, 23:16

Qeveria ka hapur garën për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe operimit të aeroportit të Sarandës dhe mes dokumenteve që shoqërojnë shpalljen e kësaj gare ndodhet edhe draft kontrata e hartuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Sipas këtij drafti, koncesionari do t’i paguajë Autoritetit Kontraktues një kompensim monetar për kalimin e të drejtave të Projektit në formën e një tarife koncesionare vjetore të barabartë me dy përqind (2%) të të Ardhurave Bruto vjetore, duke filluar nga data e operimit.

Draft-kontrata lë në dorë të koncesionarit që të përcaktojë tarifat për shërbimet aeroportuale dhe shërbimet tregtare që do të ofrohen në këtë aeroport.

“Koncesionari do të njoftojë paraprakisht Autoritetin Kontraktues përpara vendosjes së Tarifave për Shërbimet Aeroportuale. Përgjatë Periudhës së Garancisë, Koncesionari do të njoftojë paraprakisht Autoritetin Kontraktues përpara vendosjes së Tarifave për Shërbimet Tregtare”, thuhet në draft.

Vlera e projektit nuk duhet përllogaritur më pak se 34.4 milionë euro, ndërsa koncesioni jepet për një afat prej 35 vitesh.

Kontrata parashikon që koncesionari të gëzojë të drejtën për poesidimin, përdorimin dhe të drejtën ekzkluzive për të zënë, shfrytëzuar dhe gëzuar vendndodhjen, përfshirë këtu edhe pronat e paluajtshme që ndodhen në të. Draft-kontrata i jep imunitet nga përplasja me palë të treta, si edhe nga vetë shteti në raste konfliktesh pronësie për këtë.

Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeje, kontrata parashikon drejtimin në gjykatat e arbitrazhit.

Aeroporti i Sarandës parashikohet që të ndërtohet në zonën e Finiqit, me qëllim shërbimin kryesisht si një aeroport turistik.