Transmetuar më 27-10-2021, 07:31

Menjëherë pasi Berisha shpalli kandidaturën për kryetar partie, Lulzim Basha ka thirrur mbrëmjen e së martës kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në një mbledhje me dyer të mbyllura.

Gazeta Shqip mëson se diskutimet janë përqëndruar te zhvillimet e fundit dhe kërkesa e një pjese të anëtarësisë për të mbledhur Kuvendin Kombëtar, ashtu siç kërkon Sali Berisha, që po këtë të martë shpalli kandidaturën për kryetar të PD.

Mesazhet e Bashës drejtuar krerëve të degëve të partisë ishin dy dhe të qarta.

I pari lidhej me vendimin për të mos lejuar mbledhjen e forumeve për të diskutuar çështjen e përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar. Një forum i tillë, sipas Bashës, do të izolonte partinë nga SHBA.

“Nuk kam ndërment që të bunkerizoj Partinë Demokratike për interesat e një personi”, citohet Basha.

Mesazhi i dytë lidhej me fushatën e Sali Berishës për mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit. Basha e cilëson këtë proces si të pabazuar në statut dhe shprehet se nuk do ta lejojë mbajtjen e tij, ndërkohë që Berisha ka paralajmëruar se javën tjetër do të njoftojë datën e mbledhjes së Kuvendit.

“Në Partinë Demokratike nuk do të ketë asnjë institucion paralele, asnjëherë! Armiku ynë është vetëm Edi Rama”, është shprehur Lulzim Basha.