Transmetuar më 27-10-2021, 09:41

Burg pa afat për dy personat që shoqëronin Aldi Ramën ditën e vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha Gjykata e Apelit në Shkodër la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë, duke rrëzuar kërkesen e Armando Markut dhe Kristjan Sherrit të cilët kërkonin një masë më të butë.

Ndaj dy të rinjve është ngritur akuza “moskallëzim krimi”, pasi të martën e 28 shtatorit, kur u vra oficeri Saimir Hoxha në Vain, ata ndodheshin në makinë me autorin e krimit, 21-vjeçarin Aldi Rama.

Si ndodhi vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha

3 efektivë të Policisë së Lezhës, përfshirë edhe kreun e krimeve kishin marrë informacion për një parcelë me kanabis të mbjellë në zonën e Kune Vain, dhe mëngjesin e të martës (28 shtator) kishin bërë të mundur asgjesimin e afro 110 bimëve. Pavarësisht indicieve që kishin në lidhje me pronarin e kësaj parcele, policia nuk kishte rënë në gjurmët e tij.

Teksa ktheheshin nga parcela me kanabis që kishin shkatërruar, punonjësit e policisë pikasin një makinë me tre të rinj që po vinte drejt tyre. Nisur nga mosha e re e të rinjve, dhe nga qëndrimi i tyre disi dyshues, 3 punonjësit e policisë i kanë ndaluar ata për kontroll.

Ndërkohë që dy të rinjtë që shoqëronin Aldi Ramën kanë zbritur dhe nuk kanë bërë rezistencë nga makina, 21 vjeçari ka qëlluar me armë pistoletë në drejtim të Saimir Hoxhës, duke e qëlluar atë me plumb në gjoks, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Efektivët e policisë që ishin së bashku me nënkomisarin e vrarë reaguan me armë, por Aldi Rama mori makinën dhe u largua për rreth 1 kilometër nga zona, ku më pas e braktisi dhe u largua me shpejtësi në këmbë. Ishin disa grupe të RENEA që bënë kërkime të vazhdueshme për gjetjen e të riut, dhe operacioni u përmbyll me vetëplagosjen e tij, që i shkaktoi edhe vdekjen.

Çfarë thanë dy të rinjtë që ishin me Aldi Ramën

Kristian Sheri dhe Armando Marku, të cilët u arrestuan nga Policia e Lezhës, nën akuzën e përkrahjes së autorit të krimit kanë thënë se në zonë kishin shkuar për të pirë cigare me hashash, dhe nuk kishin lidhje as me parcelën e mbjellë dhe as me ndonjë krim tjetër. Ata akuzohen tashmë se kanë qenë në dijeni të armës që mbante me vete Rama, dhe nuk e kanë denoncuar këtë fakt.