Transmetuar më 27-10-2021, 20:25

Prej disa ditësh kreu i PD Lulzim basha ka kërkuar vetingun e politikanëve.

Sonte Kryeministri Edi Rama në dalje të selisë rozë foli për herë të parë për propozimin e për vettingun e politikanëve.

Rama tha se pranon të ulet në tryezë me opozitën, për të dëgjuar argumentet e tyre, për të dhënë argumentet e tij, për të marrë mendimin e ekspertëve të fushës dhe në fund për të nxjerrë konkluzione.

I pyetur se çfarë u diskutua në takimin dy orësh, Rama u shpreh shkurtër se “Kjo është mbledhje parti, nuk është ndonjë temë me interes të madh publik. Çështje organizative, çështje të analizave në qarqe”.

"Nesër unë do të votoj, siç është marrë vendimi. Nuk kam dëgjuar që ka ndonjë votë kundër, kështu që besoj se do të votohet. Mosdakordësitë mes palëve janë normale, diskutohen, çfarë mund të realizohet, realizohet.

Do të ulemi me vullnet të mirë për çdo gjë që opozita do të diskutojë. Më 2018 ka pasur një propozim, që është konsideruar jo bindës. Nuk dimë gjë për propozimin e ri. Janë tre vite, në tre vite gjërat evoluojnë, argumentet po. Nëse ka argumente bindës, ne do bëjmë më të mirën.

Seriozitet mbi parimin se jemi gati të diskutojmë çdo gjë, fillon nga këtu. Nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në dialog, atëherë s’ka tryezë. Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile," tha Rama.