Transmetuar më 28-10-2021, 13:15

Debatit të hapur nga deklaratat e Cassano për Francesco Totti (“pas 20 vitesh, ai do të harrohet”) i bashkohet edhe Zdenek Zeman, trajneri aktual i Foggia, me një të kaluar te verdhekuqtë kryeqytetas.

"Cassano nuk ka të drejtë, Totti do të mbetet gjithmonë simboli i Romës. U pa edhe të dielën e kaluar, kur iu dedikuan shumë kore nga tifozët", – deklaroi trajneri bohemian drejtpërdrejt në “Rai Radio 1”.

Gjatë ndeshjes Roma-Napoli, që përfundoi 0-0, ato pak thirrje kundër iu drejtuan mbi të gjitha Luciano Spalletti. "Nuk do t’i kisha bërë, – shton trajneri 74-vjeçar, – edhe pse sigurisht preferoj Totti, me të cilin kam pasur marrëdhënie speciale. Ai do të mbahet mend te Roma, jam në anën e tij". A do ta kujtojmë Cassano pas 20 vitesh? “Në Bari, ndoshta”, – përgjigjet me ironi Zeman.

Disa fjalë edhe për titullin në Serie A: "Nuk është e qartë se si mund të shkojë Juventusi, sepse nuk është bindës. Gjithmonë ka qenë i bazuar te mbrojtja e fortë. Napoli meriton shumë, mund të jetë kandidat i besueshëm për titullin. Lazio dhe Roma, si gjithmonë kanë momente pozitive dhe negative, nuk është e qartë përse.

Mourinho apo Sarri më i mirë? Të dy i pëlqej, por janë në vitin e tyre të parë në klubet përkatëse. Antonio Conte apo Inzaghi tek Interi? Më mirë Conte, sepse i bën lojtarët të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë”.