Transmetuar më 28-10-2021, 19:20

Pas katër ditësh, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije se në ujë është gjetur bakteri "Enterokokus" që ka shkaktuar mbi 600 të helmuar.

Ky bakter është gjetur në vetëm një depo uji, sepse Ujësjellësi ndërkohë, ka pastruar dhe ka hedhur klor në depot e tjera të qytetit, pa u marrë mostrat nga ISHP-ja.

Për helmimin e mbi 600 personave, nëndrejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku ka bërë përgjegjës Ujësjellësin që sipas tij duhet të kishte reaguar më shpejt, teksa nuk hezitoi që ta quante këtë situatë një epidemi hidrike.

Prezenca e bakterit ka ndodhur si pasojë e ndotjes sipërfaqësore të shkaktuar nga shirat, për të cilat këto çrregullime duhet të ishin kapur nga Ujësjellësi në kohë, theksoi Ulqinaku.

"Nga analizat e para nga ISHP në një pikë të Ujësjellësin e Krujës dhe ka rezultuar se ka pasur prezencë të bakterit enterokok. Situata sot që ne flasim është shumë e qetë, pothuajse ka mbaruar çdo shqetësim në urgjencën dhe në spitalin e Krujës. Mendojmë se është një epidemi e shkaktuar nga uji, pas ndotjes së ujërave sipërfaqësor. Është një epidemi hidrike dhe besoj se përgjegjësia bie mbi ujësjellësin e Krujës, duhet të kishte reaguar në kohë që me trubullirën e parë që është shkaktuar", tha ndër të tjera Ulqinaku.

Pas daljes së rezultatit të analizave, sot në orën 20:00 do të nisë edhe furnizimi me ujë, por jo për të pirë apo për gatim, vetëm për nevojat sanitare.

"Nga analizat e marra nga ISHP ka rezultuar që në një pikë të vetme të ujësjellësit ka rezultuar bakteri Enterokokus, shkak i këtyre shqetësimeve, situata që sot flasim është shumë e qetë, ka mbaruar pothujashe shqetësim, do e ndjekim me rigorozitet, epidemi e shkaktuar nga uji", njofton ISHP.

"Në orën 20:00 rinis furnizimi me ujë për banorët e qytetit Krujë! Deri në një njoftim të dytë, uji do të përdoret për arsye sanitare, dhe jo për t’u pirë" thuhet në njoftimin e Ujësjellësit.  

Nëndrejtori i ISHP tha se situata do të vijojë të monitorohet për të paktën një muaj deri sa të jenë të sigurt që çdo gjë të jetë në rregull.