Transmetuar më 01-11-2021, 12:07

Zoran Zaev i ka humbur zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut. E humbi edhe bashkinë e Shkupit, ndaj dha dorëheqjen nga detyra e kryeministrit dhe nga posti i kryetarit të partisë qeverisëse në vendin e tij.

Pa asnjë mëdyshje e me elegancën e një qëndrimi prej politikani modern, pas vetëm katër vitesh e pesë muaj në detyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev na ofron me shembullin e vet modelin e qytetarit të angazhuar në politikë për të shërbyer për vendin dhe për qytetarët e vendit të tij.

Marrëdhënia e politikanit me qytetarët në hapësirën moderne të botës është marrëdhënie besimi. Dhe besimi ka si shenjë të parë votën. Mandej, besimi rritet prej cilësisë së angazhimit dhe përgjegjësisë së shërbimit të politikanit të zgjedhur, prej rezultateve të qeverisjes, prej mënyrës se si e përdor dhe se sa besimi shkon tek qytetari si shprehje e vlerësimit dhe e respektit për të.

Prej kësaj marrëdhënieje të ndërsjelltë, ndërvepruese dhe të sinqertë, palët, pra qytetarët dhe të zgjedhurit e tyre, politikanët, gjejnë vlerat përbashkuese që lidhen me qeverisjen e mirë, me qeverisjen e shërbimit dhe me qeverisjen si përgjegjësi qytetare, kur të zgjedhurit janë në qeverisje.

Ndërsa, kur politikanët janë në opozitë, njësia e matjes së vlerave përbashkuese mes tyre dhe qytetarëve lidhet me shkallën e angazhimit në mbrojtje të interesit qytetar, me faktin se sa qytetari gjen tek ai, pra tek politikani i opozitës modelin e ndryshëm dhe që e tejkalon cakun e asaj që ofron politikani i pushtetit.

Në të kundërt, bjerrja e besimit është e sigurtë. E në shenjën e parë që e dëshmon këtë gjë, ai që duhet të reagojë e refletojë është politikani. Natyrisht fjalën e kam për ato raste kur politikani dominohet nga arsyeja, nga ndjenja e përgjegjësisë dhe e qytetarisë në marrëdhënie me qytetarin më sëpari. Dhe po aq edhe me vendin dhe interesat e tij.

Por edhe si përgjegjesi me veten, kur gjen në vete skrupuj moralë, etikë, qytetarë dhe polititikë gjithashtu. Pastaj, se ka nga ata që edhe pse humbin herëpashere nuk ndjejnë asnjë grimë përgjegjësi apo se humbjen e mbulojnë me hipokrizinë dhe paturpësinë e tyre, kjo është një çështje që nuk ka të bëjë më me politikën.

Ndaj, nëse Shqipëria nuk bën pjesë në hapësirën e botës moderne edhe tridhjetë vjet pasi ëndërroi të ishte pjesë e saj, qoftë edhe vetëm përsa i përket qasjes apo sjelljes së politikanëve, kjo ka ndodhur prej faktit se ndër ne shqiptarët, marrëdhëniet e politikanëve me qytetarët edhe kur në ndonjë rast kanë nisur si marrëdhënie besimi, shumë shpejt janë shndërruar në marrëdhënie shpërdorimi dhe abuzimi.

Pushteti është parë e shfrytëzuar si mjet përfitimi, gjë që e ka shndërruar marrëdhënien e besimit në neveri ndaj githë klasës politike, prej neverisë ndaj disa individëve politikë, të cilët i janë imponuar realitetit tonë jo si bartës të vlerave, po duke përdorur pushtetin në mënyrë korruptive, aq sa sot identifikohen si bartës të së keqes.

Pa ide dhe vizionin për të qenë udhëheqës, mediokër për nga cilësitë intelektuale e përfitues makutë të pushtetit, keta individë jo vetëm e kanë humbur besimin qytetar, për shkak se e kanë vrarë vetë atë, por janë shndërruar në problemin e madh të shoqërisë shqiptare.

Politikanë të tillë që nuk mbërrijnë dot në lartësitë e dinjitetit ku shfaqet me aktin e vet të dorëheqjes kryeministri i Maqedonisë së Veriut, sepse nuk e kanë as edukatën dhe as ndjenjën e përgjegjësisë qytetare që të mund të mbërrijnë deri tek ato lartësi, shndërrohen në karagjozë. Kumti i dorëheqjes që na vjen nga Maqedonia e Veriut, është për ata që kanë skrupuj, dinjitet dhe moral.