Transmetuar më 07-11-2021, 13:28

Nga Ashley P. Taylor

Drita është gjëja që lëviz më shpejt në univers. Po çfarë do të ndodhte nëse shpejtësia e dritës do të ishte shumë, shumë më e ngadaltë? Në një vakum, shpejtësia e dritës është rreth 300.000 kilometra në sekondë. Nëse kjo gjë do të ndryshonte, njerëzit këtu në Tokë do ta ndjenin menjëherë këtë.

Çdo njeri mund ta përjetojë këtë skenar hipotetik në një lojë kompjuterike, që krijuan në vitin 2012 Gerd Kortmejer, drejtor i zhvillimit arsimor dhe teknologjisë në ETH Zurich, një universitet i shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Zvicër dhe kolegët e tij.

Përmes kësaj loje, ju mund të shihni efektet e çuditshme të ndryshimit të ngjyrave dhe shkëlqimit, madje edhe ndryshimet në gjatësinë e perceptuar të objekteve, që do të sillte një shpejtësi shumë më e ngadaltë e dritës. Edhe me objektet më të shpejta që ka arritur të ndërtojë, njerëzit janë të ngadaltë në krahasim me dritën.

“Shpejtësia më e madhe, me të cilën ka udhëtuar një njeri është rreth 0.0037 për qind e shpejtësisë së dritës, dhe për këtë duhet të jesh brenda një anije hapësinore”-thotë Filip Tan, shkencëtar hulumtues në Laboratorin e Lojërave në Insitutin e Teknologjisë në Masaçusets, SHBA.

Por nëpërmjet eksperimenteve teorike, fizikantët kanë përcaktuar se do të ndodhnin shumë gjëra të pazakonta, nëse njerëzit mund të udhëtonin me një shpejtësi afër asaj të dritës, thotë Kortemejer, që është gjithashtu një profesor i asociuar i fizikës në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Sipas Teorisë së Relativitetit Special të Albert Ajnshtajnit – që shpjegon se si ndikonshpejtësia tek masa, koha dhe hapësira – koha do të ngadalësohej, ne do t’i masnim objektet si më të shkurtra, dhe Efekti Doppler do të bëhej i dukshëm për dritën.

Të njëjtat ndryshime do të ndodhnin nëse në vend se njerëzit të shpejtonin, të ishtë shpejtësia e dritës ajo që do të ngadalësohej. Në të dyja rastet, ne do të lëviznim me një shpejtësi afër dritës. Kortmejer, Tan dhe kolegët e tyre në “MIT Game Lab”, krijuan një lojë kompjuterike për të ilustruar se si do të ishte bota, nëse shpejtësia e dritës do të ishte aq e ngadaltë sa që Relativiteti Special do të ishte i dukshëm në jetën e përditshme.

Në lojën e quajtur “Shpejtësia e ngadaltë e dritës”, lojtari kontrollon një personazh që mbledh rruaza të ngjashme me topat e plazhit. Sa herë që personazhi mbledh një nga 100 topat, shpejtësia e dritës ngadalësohet. Në realitet, shpejtësia e dritës nuk do të ngadalësohej siç bën në lojë.

Shpejtësia e dritës në vakum nuk ndryshon kurrë, dhe është konstante për çdo vëzhgues. Shpejtësia e dritës ndryshon në varësi të materialeve nëpër të cilat po kalon, por kjo nuk i ndryshon efektet e Relativitetit Special, apo mënyrën se si ne i perceptojmë ato, shprehet Kortmejer.

Por nëse do të mund të ishim dëshmitarë të Relativitetit Special, ne do të vinim re ndryshime në ngjyra, kohë, distancë dhe shkëlqim, dhe ekipi i përfshiu në lojë ato efekte. Kur shpejtësia e lëvizjes njerëzore i afrohet shpejtësisë së dritës, bëhet e dukshme një dukuri që quhet Efekti Doppler.

Për ta kuptuar këtë, mos harroni se drita vepron edhe si grimcë edhe si valë. Si valë, ajo karakterizohet nga gjatësia e valës së saj, pra nga distanca nga kreshta në kreshtë, e cila përcakton ngjyrën e saj dhe frekuencën e saj.

Sipas Efektit Doppler, afrimi i një burimi të zërit bën që frekuenca ose lartësia e tij të duket sikur rritet, ndërsa kreshtat e valëve arrijnë në veshin tuaj më shpejt dhe më shpejt, lëvizja drejt një burimi drite e bën gjatësinë e valës së tij të duket më e shkurtër, duke zhvendosur ngjyrat e dukshme e dritës drejt skajit blu dhe vjollcë të spektrit të ngjyrave, shpjegon Kortmejer.

Nga ana tjetër largimi nga një objekt, e zhvendos ngjyrën e tij të dukshme drejt fundit të spektrit të kuq. Për pasojë “gjëja që vjen drejt jush duket më blu, dhe gjëja që largohet nga ju duket më e kuqe”-thotë Kortemjer. Ndoshta një nga efektet më të famshme të Relativitetit Special, është ai sipas të cilit për një njeri që lëviz afër shpejtësisë së dritës, koha ngadalësohet.

Në këtë skenar, një person që lëviz me shpejtësi afër dritës do të plaket më ngadalë. Ky efekt quhet Zgjerim i Kohës. “Në këtë lojë ju përjetoni teknikisht zgjerimin e kohës; por pa pasur diçka për ta krahasuar atë, ajo nuk do të thotë asgjë. Zgjerimi i kohës mund të mos jetë i dukshëm gjatë lojës, por në fund, lojtarët shohin një ekran, që i informon ata se ka kaluar më pak kohë për ta, sesa ka kaluar për një orë të palëvizshme”- thotë Tan.

Një efekt tjetër i Relativitetit Special, është se shkurtohet gjatësia e objekteve që lëvizin afër shpejtësisë së dritës. Kjo dukuri quhet Tkurrje e Gjatësisë. Por Kortmejer thotë se ky efekt është i ndërlikuar. Objektet që zmadhohen afër shpejtësisë së dritës, mund të pësojnë tkurrje të gjatësisë dhe mund të jenë më të shkurtra, sipas matjeve nga një vëzhgues i palëvizshëm.

Por në fakt ato do të dukeshin më të gjata në sytë e atij personi, për shkak të një efekti tjetër të relativitetit special të quajtur Efekti i Kohës së Funksionimit.

Për shembull, supozojmë se drejt jush po vjen një biçikletë. Drita nga pjesa e përparme e biçikletës ka një distancë më të shkurtër për të përshkruar para syve tuaj, sesa drita nga pjesa e pasme e biçikletës. Për pasojë ju shihni pjesën e përparme të biçikletës siç ishte kohët e fundit, dhe pjesën e pasme të biçikletës siç ishte më tej në të kaluarën, kur biçikleta ishte më larg.

“Kjo në përgjithësi e bën biçikletën të duket më e gjatë”- thotë Kortmejer. Ndonjëherë, i njëjti efekt mund t’i bëjë objektet të duken të shtrembëruara. Me fjalë të tjera, nëse shpejtësia e dritës do të ishte shumë më e ngadaltë, objektet që lëvizin afër asaj shpejtësie, mund të duken më të gjata dhe të deformuara për vëzhguesit e palëvizshëm.

Një shembull tjetër. Kur ecni në shi, mund të vëreni se lageni më shumë përpara sesa prapa.

Kur ecni në shi, ju ndesheni me më shumë pika shiu, sesa po të qëndronit pa lëvizur. Porpjesa e përparme e mbron pjesën e pasme nga ato pika shiu shtesë.

Diçka e ngjashme do të ndodhte nëse do të lëviznit afër shpejtësisë së dritës, thotë Kortmejer.

Kjo për shkak se drita sillet ndonjëherë si një koleksion grimcash, të quajtura fotone, të cilat janë si pika të vogla drite. Ndërsa lëvizni drejt një objekti në lojën kompjuterike, ai duket më i ndritshëm se sa kur jeni duke qëndruar në vend. Ky quhet Efekti i Kërkimit të Dritës. / “Live Science”