Transmetuar më 10-11-2021, 11:01

1. Në vitin 1995, Fatos Nano nga burgu politik ku ishte nxiti disa anëtarë forumesh në PS (Brokaj, Legisi, Islami etj.) që të bënin një mocion besimi ndaj drejtuesve të partisë në atë moment. Nano ishte në burg dhe partinë e drejtonte një kryesi “ad hoc”.

Megjithë refuzimet e kryesisë së kohës (edhe ata flisnin për shumicën e partisë dhe për vulën e saj), nismëtarët arritën ta mblidhnin kongresin dhe t’iu jepnin dërrmën drejtuesve që mbanin vulën. Një parti me rregulla bashkëjetese funksion dhe vetëkorrigjohet.

2. Sot Berisha, jo në burg si Fatosi, po bën të njëjtjën gjë, me shumë më tepër avantazhe organizimi se Fatosi. Ka rreth 60% të anëtarëve të kongresit në dakordësi. As në këtë rast nuk ka më vulë që ta ndalojë këtë shumicë të mbidhet dhe të vendosë. Ky është rregull themelor i bashkëjetesës vullnetare.

S’ka ligj më të fortë në fuqi që të rregullojë bashkëjetesën sesa ky! Rregulli është i qartë: kur vetëmblidhet kongresi, për shak se drejtimi i partisë ka lajthitur, ai është fuqiplotë. Organet që dalin prej tij (kongresit pra) pushojnë së ekzistuari. Kongresi merr frenat në dorë dhe fillon riorganizimin e partisë. Ky është rregulli i përbotshëm i partive demokratike.

Këtë rregull nuk e garantojnë policët, por vullneti i anëtarëve. Puna është nëse PD zyrtare do të pranojë të sillet si parti e përgjegjshme apo do të copëtohet si kuvli vulash në garë për t’u shitur tek pushteti. PS me Nanon në burg e kaloi me sukses këtë test në vitin 1995.