Transmetuar më 10-11-2021, 19:50

Ish Presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha, shpalli sonte publikisht kandidaturën e tij për kryeministër dhe tha se do të vihet përballë Edi Ramës në garën e ardhshme elektorale që siguron se nuk do të jetë në 2025, por shumë më shpejt.

Berisha tha se kjo nismë që ai e quajti historike, "ka synim vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, fitoren e PD dhe rikthimin e Sali Berishës si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë".

Z.Berisha, në një konferencë të posaçme për shtyp sonte në Tiranë, bëri edhe disa njoftime të tjera domethënëse.

"Dua të sjell para jush dokumentin më të rëndësishëm në historinë e pluralizmit shqiptar pas rrëzimit të komunizmit", tha Berisha teksa publikoi 4200 firmat e mbledhura në anëtarësinë e PD, shumë më tepër se sa duhen me statut dhe njoftoi se do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD.

Berisha tha se Kuvendi ka si qëllim shkarkimin e Bashës dhe vënien e tij në krye të PD.

Një tjetër njoftim që ai bëri ishte afrimi i Floriana Garos si drejtore komunikimi e Foltores dhe ekipit të Berishës që po përgatit rikthimin e tij në krye të PD dhe në krye të qeverisë.

Floriana Garo, një ndër misset më të bukura dhe më të fisme shqiptare, la Zvicrën në fillim të këtij viti për t’iu bashkuar Lulzim Bashës në fushatën elektorale. Ajo ishte imazhi i komunikimit të kreut demokrat Lulzim Basha dhe e PD.

Rivaliteti tani mes Bashës dhe Berishës po thellohet sepse ka nisur një sezon blerjesh që nuk dihet si dhe sa do të vazhdojë. Burime pranë Berishës thanë për noa.al se emra të tjerë të njohur pritet të dalin hapur pro Berishës. /noa.al