Transmetuar më 16-11-2021, 14:38

Prokurorët e SPAK, si të gjithë prokurorët dhe gjykatësit e Republikës janë të përjetshëm në sistemin e drejtësisë. Nuk e kuptoj se çfarë “përjetësie” më të madhe kërkojnë sot?!

SPAK, në vetvete, nuk është i përjetshëm. Ajo është një strukturë e posaçme në fund të fundit. Si e tillë ajo nuk mund të jetë e përjetshme. E posaçmja nuk është e përjetshme.

Në definicion, e posaçmja është e përkohshme. Në struktura të posaçme shërbjejnë magjistratë, të cilët janë pjesë e sistemit të drejtësisë, ku shërbejnë aty përjetësisht. Dmth, deri sa dalin në pension ose shkarkohen sipas ligjit.

Ndaj debati për përjetësinë e prokurorëve në SPAK nuk ka kuptim! Një ditë, SPAK do jetë thjesht pjesë e shërbimit të prokurorisë në mënyrë harmonike. Se nuk ka shtet funksional me prokurori e gjykata paralele.

Ashtu siç edhe BKH do duhet të jetë një qendër e madhe e gjithë hetimit penal, në vartësi të prokurorisë. Ndaj s’ka kuptim të kërkosh përjetësi të gjërave të posaçme. Përjetësia e të posaçmeve ndodh vetëm në shoqëritë diktatoriale.

Në demokraci e përgjithshmja është normë sjellje e përhershme. Është njësoj sikur t’i thuash zonjës Kim, fjala vjen, që të rrijë përjetësisht ambasadore e Amerikës. Ajo është pjesë e shërbimit diplomatik amerikan, por jo e përjetshme në Shqipëri.