Transmetuar më 16-11-2021, 14:45

Vlora do të jetë stacion i guidave turistike nga më interesantet në Europë, duke ftuar pushues që udhëtojnë me jahte dhe mjete të ngjashme.

Marina Vlorë do të jetë e denjë për transportin detar të niveleve superiore. Lajmi u konfirmua ditën e djeshme, në kuadër të buxhetit që paraqiti qeveria për vitin 2022.

Më herët gjatë këtij viti qeveria ka bërë të ditur planin madhor për modernizimin e bregdetit të Vlorës, duke zhvendosur nga zona e banuar portin e sotëm industrial dhe zëvendësimin e tij me një port të ri dedikuar turizmit.

Porti i ri turistik do të jetë investim i një “joint venture” të përbërë nga kompanitë “Marina di Valona” sh.p.k., “Brunes” sh.p.k., “Ndregjoni” sh.p.k. dhe “Marina Projects”.

Vlera e përgjithshme e investimit do të jetë 2,8 miliardë lekë, e kryer brenda 3-4 viteve, kurse të ardhurat që do t’i sjellë ekonomisë së qytetit kur të fillojë funksionimi, do të jetë rreth 4,3 milionë euro në vit.

Në situatën aktuale Vlora dhe gjithë vendi ynë janë të vetmit në rajon pa infrastrukturën e duhur detare për të pritur turizëm vërtet elitar, në një kohë që porti i ri turistik do të ketë kapacitet për rreth 500 mjete lundruese të tipit jahte, megajahte apo anije turistike.

Për më tepër, Marina Vlorë do të ofrojë edhe shërbimet mbështetëse për këtë lloj flote, p.sh. furnizimin me karburant, energji dhe ujë, duke e çuar vlerën totale për komunitetin në 20 milionë euro ne vit.

Marina Vlorë pritet të fillojë shumë shpejt punimet dhe të kthehet në një qendër aktive për të gjithë zonën.