Transmetuar më 16-11-2021, 22:26

Kjo e martë 16 nëntor ishte dita e fundit e jetës për Mateon e vogël. Ai, në një moshë pafajësia, vetëm 8 vjeç, u shua tragjikisht pas një rrëmbimi absurd dhe makabër.

Nisi herët në mëngjes, aty nga ora 8, kur djali i tha nënës se po nisej për në shkollë, ashtu si dhe moshatarët e vet në Fier.

Doli nga shtëpia për të mos u kthyer më i gjallë aty. Në rrugë ndeshet me këtë njeri që shikoni në foto, Klodian Çalamanin, i cili kishte një biçikletë.

E tundoi duke ia ofruar për të bërë një xhiro. Por plani ishte monstruoz. Çalamani arriti ta tërheqë brenda shtëpisë së vet të voglin dhe aty, fëmija pa tmerrin me sy.

Dëshmitë në vendngjarje nxjerrin në pah se fëmija u qëllua disa herë me një lopatë, duke e lënë më pas të pajetë.

Pas krimit, autori i dyshuar, një njeri me luhatje psikike të rënda, ka dalë në rrugë duke iu bashkuar gjoja shqetësimit për humbjen e fëmijës.

I pafytyrë, ai arriti deri aty sa të shkonte e të pyeste fqinjët dhe të tjerë përreth nëse e kishin gjetur vogëlushin 8 vjeçar.

E ndërkohë, e kishte vrarë dhe e kishte groposur duke e mbuluar me baltë dhe degë e gjethe jo larg shtëpisë.

Krimi u zbulua pasdite vonë, pasi nëna e gjorë kërkonte të birin. Asaj nuk ia priste mendja se fëmija kishte përfunduar në duart e ish kriminelit Klodian Çalamani, i cili prej kohësh jetonte vetëm, si rezultat i prindërve të ndarë, të cilët njëri vdiq dhe tjetra u martua sërish jashtë Shqipërisë. /noa.al