Transmetuar më 17-11-2021, 07:54

Personi që shikoni në foton qendrore është shtetasi shqiptar M.D. 37 vjeç, banues në Athinë. Mbrëmjen e së martës ai u vra në një atentat në rrugën Thivon 81 në Nikea, raporton noa.al.

Djali 37 vjeçar ndodhej në një pikë karburanti siç shihni në galeri, biznes që ishte regjistruar në emrin e gruas së tij greke.

Bashkëshortja, tashmë e vé, ishte shtatzënë dhe që të dy po prisnin të vinin në jetë binjakët e tyre. Por me vdekjen e babait, ata do të vijnë jetimë në këtë botë.

Ajo që ndodhi mbrëmë në Nikea, sipas policisë, lidhet me një vrasje të ndodhur në 2010, për të cilën është akuzuar M.D., atëherë 26 vjeç.

Viktima akuzohej për vrasjen e një bashkatdhetari 30-vjeçar në 14 shkurt 2010 në rrugën Fokionos Negri në Kypseli të Athinës.

Atë natë, 30-vjeçari po kthehej në shtëpi nga një lokal ku po argëtohej në Kypseli. Papritur u sulmua nga një burrë, i cili e qëlloi dy herë dhe e plagosi për vdekje. Në vendngjarje atëherë u gjetën dhe konfiskuan dy këllëfë 9 mm, të cilat ishin dërguar në laboratorët e Drejtorisë së Hetimeve Kriminologjike për ekzaminime laboratorike dhe krahasuese. Nga hetimet rezultoi se arma e përdorur ishte e njëjta që mbante 37-vjeçari M.D., i arrestuar më pas, për trafik kokaine.

Motivi i vrasjes dyshohet se ka qenë mosmarrëveshje financiare mes autorit dhe viktimës.

Mirëpo, 37-vjeçari përfundimisht u shpall i pafajshëm pasi pretendoi se arma ishte përdorur nga një person tjetër dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen në Kypseli.

Vihet re se korrikun e kaluar ka ndodhur një sulm me bombë në Vari në zyrat e kompanisë së naftës, në rrjetin e së cilës bën pjesë edhe pika e karburantit ku ndodhi atentati i djeshëm.

Megjithatë, drejtuesit e policisë greke i shkëputin plotësisht dy ngjarjet të paktën në këtë fazë të parë të hetimit të tyre.

Sakaq pistë tjetër hetimi është një borxh 200 mijë euro dhe mes dyshimeve nuk mungon as ai për trafik droge. /noa.al