Transmetuar më 18-11-2021, 08:28

Autoritetet në Athinë, po hetojnë dosjen kriminale të një 35-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet se ishte përfshirë më parë në një aferë droge të fortë. Ata kanë sekuestruar pamjet video nga kamerat e sigurisë për të hetuar ekzekutimin mafioz me një të vdekur dhe një të plagosur në pikën e karburantit në Nikea të Athinës.

Një portal lokal nxori pamjet që ju sjell noa.al më poshtë. Në to shihet se si BMW-ja e zezë me xhama të errët hyn në pikën e karburantit në rrugën Thivon 181 në Nikaia, mbrëmjen e së martës 16 nëntor, në orën 20.00.

Pranë derës së zyrës së karburantit qëndrpn veshur me të zeza, shqiptari 35-vjeçar Mario Diamanti dhe një mik i tij. Rrotull tyre gjenden dhe punonjësit e kompanisë.

Shoferi i BMW afron mjetin pranë Marios dhe nga sediljet e pasme nisin plumbat. Ato kapin Marion dhe mikun e tij. Sakaq vijnë plumba të tjerë me silenciator që fundosin biznesmenin pasi tre e kapën në gjoks dhe një në kokë.

Menjëherë më pas makina nis të largohet me shpejtësi duke rrezikuar të shtypë një punonjës.

Automjeti i autorëve, i cili ishte vjedhur rreth një muaj më parë në Glyfada, u gjet në flakë disa qindra metra më tutje ku duket se autorët kanë ndërruar mjet.

Mario Diamanti, 35-vjeçari shqiptar, u arrestua për një çështje droge në vitin 2010.

Pak kohë më vonë ai u akuzua për vrasje dhe në vitin 2013, u shpall i pafajshëm në gjykatë.

Një atentat i ngjashëm në stil, që ndodhi në Tiranë rreth një javë më parë, “tregon” një lidhje me mafian shqiptare, për një borxh që besohet se ishte zhytur 35-vjeçari shqiptar Mario Diamanti nga trafiku i drogës.

I ndjeri la pas gruan e tij greke e cila është shtatzënë me binjakë. /noa.al