Transmetuar më 18-11-2021, 18:06

Një roman historik dhe një vepër me kujtime vijnë për lexuesin shqiptar nga Kristo Pulla, si përzgjedhje të dy prej autorëve më të njohur të letërsisë greke.

Romani historik “E zjarrit dhe e vetmisë” i autores Lily Mavrokefalous si dhe “Kujtime” nga Theodhoros Kolokotronis u promovuan në Panairin e Librit që po zhvillohet këto ditë në Tiranë.

"E zjarrit dhe e vetmisë” është krijimi më i fundit i shkrimtares Lily Mavrokefalou që vjen në shqip nga shtëpia botuese “Toena”, i përkthyer nga Kristo Pulla.

Ky titull përkufizon më së miri heroinën e romanit historik, e bazuar në një ngjarje të vërtetë të një një vajze patriotike, që pasurinë e saj dhe jetën komode e sakrifikon për çlirimin e vendit të saj Greqisë.

Ky botim vjen në shqip edhe në kuadrin e 200 vjetorit të pavarësisë së Greqisë.

“E zgjodhëm për të qenë një nga dy botimet më të rëndësishme që ne i kushtuam 200 vjetorit të pavarësisë së Greqisë nga Perandoria Osmane”, tha botuesja Irena Toçi.

Vetë autorja është e lumtur që vepra e saj u përkthye në shqip, për lexuesin shqiptar. Ajo rrëfen se e ka vizituar vendin tonë dhe në vitet e diktaturës komuniste.

“Nuk është hera e parë që po vij në Shqipëri, mbase ju do iu bëjë përshtypje, por unë për herë të parë kam ardhur në vitin 1985. Sigurish që në atë periudhë Tirana ishte një qytet krejt i ndryshëm nga ai që shohim sot. Që atëherë m’u krijua përshtypja që populli shqiptar nderonte shumë cilësinë e mikpritjes. Dhe ja që fati i mirë i këtij libri e solli që sonte të ndodhëm sërish pranë jush”, tha autorja Lily Mavrokefalou.

Romani “E zjarrit dhe e vetmisë” ka në qendër një heroinë që harxhoi të gjithë pasurinë e saj në ndihmë të revolucionit grek.

Ky roman historik të fton të kuptosh më shumë se ëndrrat dhe dashuria për gjërat të bëjnë të ndryshosh botën, aq më tepër në një kohë të shkuar kur dukej se asokohe për të bërë revolucionin ishte më e vështirë.

Lily Mavrokefalou, i ka fillesat në fushën e letërsisë që në vitin 1977 duke u përqendruar në romane historike. Po atë vit ajo është vlerësuar më çmimin e parë nga Shoqëria Letrare e Grave.

Në një ceremoni të organizuar në Panairin e Librit, drejtori i Muzeut Kombëtar Dorian Koçi, vlerësoi punën e bërë nga përkthyesi Kristo Pulla që solli për lexuesit shqiptarë këto dy libra të autorëve grekë pikërisht në përvjetorin e revolucionit grek.

Koçi tha se këto dy libra i japin mundësinë publikut shqiptarë të mësojë për ngjarje të rëndësishme të historisë moderne jo vetëm të Greqisë, por edhe të Ballkanit në tërësi.

“Është kënaqësi e veçantë që në kuadër të përvjetorit të revolucionit grek të mund të dialogojmë përmes historisë dhe kulturës dhe aq më tepër me dy vepra të rëndësishme siç janë kujtimet e Kolokotronit dhe romani që prezantojmë bashkë me shkrimtaren Lily Mavrokefalou.

Përmes këtyre dy librave do t’i japim mundësinë publikut shqiptar për të mësuar më shumë rreth revolucionit grek. Për ne që merremi me histori revolucioni grek është një ndarje me thikë e dy epokave, asaj të perandorisë otomane dhe asaj të lirisë.

Popujt e Ballkanit pas këtij revolucioni rifituan dinjitetin njerëzor dhe përqafuan idealet e iluminizmi”, tha drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi.

Shkrimtarja greke Lily Mavrokefalou, falënderoi përkthyesin Kristo Pulla për shqipërimin.