Transmetuar më 24-11-2021, 14:29

Kur mbërriti te Barcelona, Martin Braithwaite u prit me një përzierje mosbesimi dhe ironie. Në fund të fundit, Blaugrana-t duhej të zëvendësonin Dembele, i dëmtuar për disa muaj dhe përdorën një rregull të La Liga-s për të marrë danezin në shkurt, duke e rrëmbyer nga Leganes.

Sidoqoftë, përzgjedhja e sulmuesit kishte ngritur mëdyshje, pasi nuk ishte një emër potencial që shumë do ta llogarisnin për te katalanasit. Mbi një vit më vonë, Braithwaite dëshmoi se mund të jetë pjesë e Barçës, duke dhënë kontributin e tij kur vihej në pikëpyetje.

Sidoqoftë, jeta e tij nuk ka qenë gjithmonë e thjeshtë. Vetë futbollisti danez tha për CNN se fëmijëria e tij u karakterizua nga një sëmundje e rëndë, Legg-Calvé-Perthes, një sindromë degjenerative pediatrike e femurit.

Një situatë që për një periudhë e detyroi të ecte në karrocë me rrota, pa pasur asnjë parashikim optimist për të ardhmen. Diçka që e frikëson edhe sot: “Nuk kam shumë kujtime nga fëmijëria për të treguar, sepse kam vuajtur nga një sëmundje e rëndë.

El bonito gesto de Braithwaite con un aficionado en silla de ruedas

I shihja të gjithë fëmijët e tjerë duke vrapuar, duke buzëqeshur, duke luajtur, ndërsa unë qëndroja në karrocë me rrota. Ishte një periudhë vërtet e vështirë e jetës sime. Më kujtohet ndjesia që nuk dija si t’ua shpjegoja të tjerëve. Nuk e doja një vëmendje të tillë".

Jo tamam fëmijëria tipike e një futbollisti, të paktën në shikim të parë. Por Braithwaite është dëshmi se nga momentet më të këqija mund të ktheheni edhe më të fortë. Fatmirësisht, situata erdhi duke u përmirësuar me kalimin e kohës dhe danezi rifitoi lëvizshmërinë e plotë.

Ai mundi t’i përkushtohej asaj që ka qenë gjithmonë ëndrra e madhe, të merrte fushën pas një topi dhe të shndërrohej në yll. “Gjithmonë kam dashur të bëhem futbollist. Që shumë i vogël nuk kam pasur asgjë tjetër në mendje. Dhe nuk kam pasur plan B, sepse kur nuk ke plan B nuk shpërqendrohesh nga qëllimi. Sidoqoftë, ky i imi ishte një udhëtim djallëzor”.

Për fat të mirë ai ka tashmë një situatë të lakmueshme: i pasur, i famshëm dhe që luan me fanellën e Barcelonës. Ishte një udhëtim i ndërlikuar, por tani Braithwaite ka gjithçka për të buzëqeshur.