Transmetuar më 24-11-2021, 14:37

Luis Figo ka folur gjatë një eventi të sotëm në kryeqytetin spanjoll mbi çështje të nxehta dhe aktuale të futbollit. E nisi nga ndeshja e mbrëmjes e Real Madridit: “Do të jetë një lojë e vështirë, sepse Reali duhet të sigurojë fillimisht kualifikimin dhe më pas të jetë i pari në grup, çka është shumë e rëndësishme. Rivali është një nga zbulimet e këtij Champions-i, që tashmë ishte në gjendje të fitonte edhe në “Bernabeu".

Një vlerësim edhe për ndeshjen e Barcelonës dhe pasojat e barazimit të djeshëm ndaj Benfica: "Shoh përmirësim në lojë te skuadra katalanase, por futbolli është diçka tjetër. Janë krijuar shumë pritshmëri me ardhjen e Xavi si trajner, por do të shohim se sa larg mund të shkojë".

Në vitin 2000, Luis Figo u shpall lojtari më i mirë në botë. I pyetur mbi “Topin e Artë” të këtij viti, portugezi shtoi: "Favoriti? Shihni të nominuarit. Ka shumë, sigurisht. Lewandowski e meritoi vitin e kaluar, por nuk mundi të kurorëzohej për shkak të pandemisë.

Ai do të ishte një nga ata që e meritojnë këtë çmim edhe sivjet. Pastaj janë të zakonshmit, pra Cristiano dhe Messi. Benzema ka kaluar një vit, ose më mirë, ka një karrierë me argumente të mjaftueshme për ta fituar atë".

Robert Lewandowski scores stunning overhead kick with his shoe untied as  Bayern Munich striker sets yet another brilliant record in the Champions  League

Figo nuk i kupton kritikat ndaj Cristiano Ronaldos: "Ato janë marrëzi, Ronaldo është më i miri. Futbolli është rezultat dhe Manchester United nuk po i përmbush pritshmëritë. Cristiano është një nga më të mirët e ekipit të vet për sa i përket performancës, kështu që nuk i kuptoj ato kritika".

Portugezi aktualisht punon për UEFA-n dhe si i tillë është një zë autoritar për të folur mbi Superligën dhe projekte të tjera: "Ata po përpiqen t’i nxjerrin të vdekurit nga varri. Liga e Kampionëve ka shumë vite histori dhe është logjike që ajo të përmirësohet me ndryshimin e shoqërisë dhe vetë futbollit.

Ato skuadra themeluese më kanë befasuar, sepse ishin në shoqatën e klubeve, si dhe bashkëpunonin për formatin e ri të Champions-it. Pra, donin të krijonin një kompeticion të ri. UEFA nuk është kundër ekipit A, B ose C…

Ishin ato skuadra që morën vendimin për të kërkuar një kompeticion tjetër. Përfitonin 20 skuadra dhe ishte logjike që në këtë rast të tjerët të reagonin. Nuk është vetëm UEFA, e gjithë bota e futbollit është kundër Superligës. Ky projekt ka vdekur".