Transmetuar më 25-11-2021, 08:39

Një vit më parë, rreth orës 17:30, me orën tonë, bota e futbollit u trondit nga njoftimi për vdekjen e Diego Armando Maradonës. "Se muriò el futbol" (futbolli ka vdekur). Kështu shkroi në ato minuta të furishme “Clarin”, gazeta e parë që përhapi lajmin e ndarjes nga jeta të “Pibe de Oro” në moshën 60-vjeçare.

Vdekja erdhi për shkak të një arresti kardio-pulmonar, ndërsa legjenda e futbollit ishte në shtëpinë e tij, në Tigre, në veri të Buenos Aires. Lajmi trazoi një të mërkurë në dukje të zakonshme, në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Ai u përhap me shpejtësi në çdo cep të globit. Ishte një lajm i papritur, shkatërrues dhe befasues. Bota mbajti frymën, futbolli edhe më shumë. Argjentina, ose më mirë Argjentina e tij, shpalli tri ditë zie kombëtare.

Në atdheun e tij, Maradona kishte veshur fanellat e tri klubeve, ndërsa shkroi edhe historinë e futbollit Albiceleste: Argentinos Juniors, Boca dhe Newell’s Old Boys, përpara se të zbarkonte në Evropë. Mbi të gjitha ai mundi të triumfonte me kombëtaren argjentinase në fushatën e Botërorit të Meksikës 1986.

Të paharrueshëm dy golat e tij në gjysmëfinale kundër Anglisë. Ndoshta më ikoniku i karrierës së tij ishte “La mano de Dios” (Dora e Zotit), i riemërtuar më vonë si “Goli i Shekullit”, me topin në rrjetë, pasi kishte dribluar pothuajse të gjithë lojtarët anglezë, duke e shtyrë paksa me dorë.

Megjithatë, në Kontinentin e Vjetër, kampioni me origjinë nga Lanus ka veshur ndër të tjera fanellën e Barcelonës dhe Sevilla, përkatësisht kapitullin e kontaktit dhe të fundit të aventurës së tij me Europën.

Në mes, shtatë vitet më intensive dhe më të rëndësishme me Napolin, të mbushura me gëzime dhe pikëllime, triumfe dhe rënie, por të shënuara nga një pasion i brendshëm dhe një marrëdhënie simbiotike me një popull që iu desh shumë pak për ta bërë atë “Mbretin” e vet.

Për Napolin, vdekja e Maradonës është e barabartë me zhdukjen e një pjese të tij. Qyteti mban zi për futbollistin dhe njeriun që me gjenialitetin e tij magjepsi popullin napolitan nga viti 1984 deri më 1991.

Disa qindra tifozë, menjëherë pas njoftimit të vdekjes, u mblodhën pranë stadiumit “San Paolo”, në këmbët e muralit kushtuar atij, për të nderuar Diegon. Lule, qirinj, pankarta blu dhe dedikime të ndjera për kampionin e tyre të papërsëritshëm.

Gjithçka ndodhi pikërisht aty ku tifozët napolitanë do të shihnin së shpejti përmbushjen e dëshirës së tyre më të madhe: emërtimi i stadiumit në kujtim të Maradonës. Bashkia e nisi me shpejtësi procesin në orët në vijim dhe tetë ditë më vonë, më 4 dhjetor 2020, “San Paolo” bëhet stadiumi “Diego Armando Maradona” në të gjitha aspektet.

Pak ditë më parë, më 29 nëntor, ishte vetë Napoli, ai që e nderoi Diegon në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar 4-0 në shtëpi ndaj Romës me një fanellë speciale bardheblu, në nderim të “10”. Në pjesën e përparme të fanellës unike ishte e stampuar një foto e Maradonës.

Vdekja e “Dorës së Zotit” i ka prekur të gjithë, është e kotë ta mohosh këtë. Nuk kanë munguar edhe dedikimet prekëse nga futbollistët e mëdhenj, që nga ata të së shkuarës e deri tek ata që ndriçojnë të tashmen.

Nga rivali i përjetshëm Pele: “Një ditë do të gjuajmë një top bashkë në qiell”, te kundërshtarët e betejave të mëdha si Platini: “Është e kaluara jonë që ikën”, apo Baresi: “Të përballesha me të në fushë ishte një nder. Në fushë ishte fenomen, besnik, merrte goditje dhe nuk ankohej, lider i vërtetë”.

“Ai na la, por nuk largohet, sepse Diego është i përjetshëm”, – i bëri jehonë Messi, i cilësuar shpesh dhe me dëshirë si trashëgimtari i tij i madh. I përjetshëm, në fakt, sepse dikush i tillë nuk mund të harrohet. Një vit pas vdekjes së Maradonës, kujtimi i tij është ende i gjallë në zemrat e atyre që e duan këtë lojë magjike si futbolli.