Transmetuar më 25-11-2021, 12:33

Fanella me numrin 10 identifikohet padyshim me ikonat e historisë së futbollit. Çdo fëmijë ëndërron ta mbajë atë numër “të rëndë” mbi supet e tij, ndoshta për të imituar bëmat e kampionit (idhullit) të tyre të preferuar.

Të gjithë jemi dakord që Diego Armando Maradona ka dhënë një kontribut të madh në këtë kauzë shumë romantike. Thoni “10” dhe menjëherë mendoni “Pibe de Oro”, sidomos në këtë përvjetor të parë të ndarjes së tij nga jeta.

Megjithatë, ndoshta jo të gjithë e dinë se, gjatë përvojës së tij te Napoli, Maradona vendosi të bënte një përjashtim nga rregulli dhe të dilte në fushë me një numër tjetër. Ndeshja referuese është Piza-Napoli, e vlefshme për javën e 21-të të Serie A, sezoni 1990-1991 në të cilin axurrët garuan si kampionë në fuqi të Italisë.

Për habinë e madhe të gazetarëve dhe tifozëve, kampioni argjentinas zgjodhi të linte mënjanë “10” e tij proverbiale si lojtar për të adoptuar “9”, zakonisht e rezervuar për qendërsulmuesit. Në bazë të kësaj kthese kishte arsye specifike.

Dukej, në fakt, se Maradona kishte vendosur tashmë të largohej nga kryeqyteti i Campania-s në fund të atij sezoni, për më tepër i sugjeroi klubit emrin e “trashëgimtarit” të tij, të paktën në terma numerikë.

Në atë Piza-Napoli ishte Gianfranco Zola, ai që mori përsipër barrën e fanellës nr.10, si stafetë nga legjenda argjentinase e futbollit. Një dorëzim thuajse profetik. Pikërisht një muaj më vonë, më 17 mars 1991, Maradona rezultoi pozitiv për kokainë në testin antidoping dhe në fakt i dha fund aventurës italiane në mënyrën më të keqe të mundshme.

Fanella me numër 9 u shndërrua menjëherë në një gjë të rrallë, një xhevahir që çdo koleksionist duhet të aspirojë ta ketë në mesin e “trofeve” të tij, veçanërisht nëse lojtari në fjalë ishte një nga më të fortët ndonjëherë dhe është identifikuar gjithmonë me “10”.

27 vite më vonë, më 2018, dëshira e njërit prej këtyre romantikëve të pashërueshëm u plotësua më në fund. "Bolaffi", një shtëpi e njohur ankandesh torineze, e shiti fanellën nr.9, e veshur nga Maradona, në “Garibaldi Arena” të Piza. Nga ky ankand u arkëtua shuma modeste prej 15 mijë eurosh.

Një suvenir që meritonte përpjekje më të rëndësishme ekonomike, një nga përjashtimet e shumta që ia lejojmë vetes zakonisht gjatë jetës. Ashtu si përjashtimi që Maradona bëri atë 17 shkurt, 30 vite më parë.