Transmetuar më 26-11-2021, 12:38

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është përgjigjur po me aq domethënie batutës së Edi Ramës në lidhje me ‘shiun që sjell bereqet’.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, është shprehur se është e rëndësishme që 13 marrëveshjet e nënshkruara mes qeverive të nisin që të zbatohen plotësisht dhe pak nga pak të bëhen reale.

Në fjalën e tij kryeministri i Kosovës ka thënë se vendet duhet të punojnë fortë dhe për zbatimin e planeve dhe marrëvesjeve të përbashkëta duhet edhe diell edhe shi.

“I dashur Edi ne po mbjellim së bashku, dhe do të na duhet edhe diell edhe shi, që të vjelim frytet për qytetarët tanë. Jam i gëzuar për mbledhjen e 7-të mes dy qeverive tona, kemi nënshkruar 13 marrëveshje sot, duke e rritur më tej bashkëpunimin për më shumë drejtësi, zhvillim dhe mirëqënie.

Janë marrëveshje sa me rëndësi ekonomike po aq edhe historike, është jetësimi i ëndrrës së shqiptarëve për të qenë krenarë në vendin e tyre. Sa më të integruar të jemi aq më mirë do të jetë për qytetarët, dhe aq më të bindur do të jenë ata për ta ndërtuar jetën në vendin e tyre. Gjatë ditës së sotme, në forumin e biznesit do të diskutojmë për veprime konkrete”, u shpreh Kurti.