Transmetuar më 29-11-2021, 11:23

Urimi i pazakonte në grupin e “Whatsapp” të Komisionit të Sigurisë, me portretin e Enver Hoxhës nga ana e  deputetit socialist, Bujar Çela ka sjellë reagime të shumta nga radhët e politikës.

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla thotë se ka marrë një sqarim nga deputeti, që sipas tij i është përdorur telefoni nga dikush tjetër.

Sipas, Ballës sjellja e deputetit socialist është duke u verifikuar në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe se do të këtë masë disiplinore sapo situata të sqarohet.

Balla nga ana e tij ftoi të gjithë deputetët që të raportojnë raste të tilla, pasi sipas tij PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore.

“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”, tha Balla nga Fieri.

ÇFARË NDODHI DJE NE GRUPIN E WHATSAPP TË KOMISIONIT TË SIGURISË

Deputeti socialist Bujar Çela bëri një urim të veçantë për festën e Pavarësisë.

Në grupin e Whatsapp të komisionit ku bën pjesë ai ka uruar ditën e shënuar me një flamur shqiptar dhe krahas tij, portretin e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Por ky urim nuk i ka lënë të tjerët indiferentë dhe një përgjigje e ka marrë nga deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj.

Ky i fundit e ka konsideruar "një turp" këtë urim dhe shprehet se "duhet urgjentisht të bëhet dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare.

Megjithatë, kjo nuk i ka prekur aspak sedrën deputetit Çela, i cili i është përgjigjur me fjalët “Rrituni për Shqipërinë që duam!”.

Debati u përshkallëzua, kur ndaj kritikave të deputetëve, Bujar Çela përgjigjet tekstualisht: “Më rruan lesht kush s’me njeh mua dhe kohën!”