Transmetuar më 29-11-2021, 12:08

Pascal Ferré është një nga të paktët e privilegjuar, që e njeh fituesin e “Topit të Artë”, të cilin do ta shpallë sonte. Ky gazetar francez është kryeredaktor i revistës “France Football”, e cila organizon dhënien e çmimit për lojtarin më të mirë në botë.

Kanë mbetur disa orë pritjeje për të mësuar kush do ta pasojë Leo Messin (2019), pasi vitin e kaluar ceremonia dhe çmimi u pezulluan për shkak të pandemisë. Këtë të hënë, 29 nëntor, organizohet mbrëmja gala.

Ferré merr qindra telefonata nga presidentë, përfaqësues apo gazetarë të tjerë për të zbuluar para kohe se kush e ka fituar “Topin e Artë”, por e ruan sekretin: “Është viti i gjashtë që jam përgjegjës për këtë dhe deri më tani nuk kam bërë një gabim të vetëm.

Nuk dua të gënjej, por iu them të gjithëve që më telefonojnë se nuk mund ta them emrin, sepse as vetë fituesi nuk e di akoma. Nuk do të ishte e drejtë ta zbuloja kështu”.

Gazetari francez beson se takimi me fituesin e “Topit të Artë” duhet të ndodhë pikërisht në mbrëmjen gala, çka përbën edhe magjinë e çmimit: "Jemi shumë të kujdesshëm. Fituesi i ‘Topit të Artë’ është një sekret i madh. Nuk mendoj se ka një situatë tjetër të krahasueshme në sport. Nëse do ta tregoja para kohe, nuk do të kishte më asnjë emocion”.

Ai tregoi një anekdotë me Modric, kur e telefonoi për t’i thënë se çmimi do t’i shkonte atij: "Luka Modric qau si fëmijë kur e telefonova".

“Topi i Artë” ndonjëherë është bërë një pikë referimi për të krahasuar Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo. Shumë marrin parasysh atë që ka fituar secili për të vendosur se kush është më i miri. Gjithmonë ka pasur shumë polemika kur njëri fitonte mbi tjetrin. Argjentinasi ka gjashtë “Topa të Artë”, një më shumë se portugezi, por ende luftojnë për të arritur më shumë çmime të tilla.

Ferré zbulon se çfarë dëshiron më shumë portugezi: “Ronaldo ka vetëm një ambicie në karrierë, të tërhiqet nga futbolli i luajtur me më shumë ‘Topa të Artë’ se Messi. E di mirë këtë, sepse më ka thënë vetë”.