Transmetuar më 29-11-2021, 12:43

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot përvjetorin e Çlirimit të Shqipërisë me një video nga Rruga e Arbrit, e cila ka marrë formë. Në fakt, mjaft komentues kanë debatuar me kreun e ekzekutivit në Facebook, duke i kujtuar atij se në realitet rruga është e paaksesueshme. Pra, video-urimin e Ramës e kanë konsideruar propagandë.

Nuk ka vonuar dhe deputetja e Partisë Demokratike për çarkun e Dibrës, Dhurata Çupi, ka treguar me foto situatën që është në hyrje të tunelit të kësaj rruge, e cila pritet të afrojë më tej verilindjen e vendit me Tiranën:

“Nxitimi për të shpallur, në ditën e ndarjes së shqiptarëve, hapjen e Rrugës së Arbrit, kur rruga akoma nuk ka mbaruar sipas kontratës, është, më e pakta, tallje me dibranët. Dështimi i qeverisë për të mbajtur premtimin e përfundimit të rrugës në prill dhe dështimi i premtimit për ta përfunduar rrugën në fund të këtij viti nuk mund të mbulohet nga propaganda e qeverisë.

E vërteta është se rruga që na ka kushtuar 400 miliardë lekë është e papërfunduar dhe hapja e sotme është propagandistike. Në vend të mashtrimeve, qeveria duhet t’u thotë dibranëvë dhe shqiptarëve a do të paguajnë ata deri në 8 euro për një udhëtim vajtje-ardhje në Rrugën e Arbrit, kur rruga të përfundojë sipas kontratës?!"