Transmetuar më 29-11-2021, 13:13

Manchester United ka konfirmuar emërimin e Ralf Rangnick si trajner të përkohshëm, me 63-vjeçarin gjerman që rikthehet në trajning pas një periudhe si menaxher sporti dhe zhvillimi te rusët e Lokomotiv Moska.

“Djajtë e Kuq” u ndanë para disa ditësh me Ole Gunnar Solskjaer, të cilit iu kërkua të bënte trajnerin e përkohshëm në dhjetor 2018, por më pas u rikonfirmua në stol. Edhe ish-trajnerit të RB Leipzig, Rangnick, i është kërkuar që të qëndrojë në drejtimin e Manchester United deri në fund të sezonit 2021-2022. Pra, në mënyrë të përkohshme.

Marrëveshja e Rangnick si trajner është për gjashtë muaj, deri në fund të sezonit, por atij i është ofruar një rol konsulenti 2-vjeçar përtej qershorit 2022. Pikërisht kjo gjë ishte thelbësore në marrjen e vendimit për t’u transferuar në “Old Trafford”.

Burimet thonë se gjermani nuk ishte aq i interesuar për ta marrë këtë rol për një afat të shkurtër 6-mujor, por oferta e dhënies së ekspertizës së tij edhe dy vite të tjera në klubin anglez e ka bindur. Manchester United nuk i është dashur t’i paguajë asnjë kompensim Lokomotiv Moska, pavarësisht se Rangnick nënshkroi kontratë 3-vjeçare me rusët në verë.

Mbetet ende për t’u konfirmuar se kur do të jetë Rangnick në stol për ndeshjen e tij të parë si trajner i Manchester United. Gjermani është ende në pritje të vizës së tij të punës, procesi për ta marrë atë është bërë më i gjatë e më i komplikuar që nga “Brexit”.

Rangnick tha për uebsajtin e klubit të tij të ri: “Jam i ngazëllyer që do t’i bashkohem Manchester United. Jam i fokusuar për ta bërë këtë sezon të suksesshëm për klubin. Skuadra është plot me talente, ka një ekuilibër të madh mes të rinjve dhe përvojës.

Të gjitha përpjekjet e mia për gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë t’i ndihmoj këto lojtarë të përmbushin potencialin e tyre, si individualisht dhe, më e rëndësishmja, si ekip. Përtej kësaj, mezi pres të mbështes objektivat afatgjata të klubit në bazë të konsulencës".

Rangnick po i merr frenat e “Djajve të Kuq” në vendin e tetë të Premier League, 12 pikë larg kreut. Mësohet se ish-trajneri i Tottenham-it, Mauricio Pochettino, tani në stolin e PSG, mbetet opsioni i preferuar për trajner të përhershëm në “Old Trafford”. Kuptohet se argjentinasi do të ishte i hapur për t’u rikthyer në futbollin anglez në mes të sezonit, por punëdhënësit e tij në Ligue 1 hezitojnë të negociojnë një marrëveshje në këtë fazë.

Rangnick ka drejtuar më parë pesë klube në Bundesligë, duke përfshirë Schalke dhe RB Leipzig. Me Schalke gëzoi suksesin më të madh, duke përfunduar si nënkampion në Gjermani, në sezonin 2004-2005, ndërsa pretendoi lavdinë e “DFB-Pokal” dhe “DFL-Supercup” më 2011.

Në vitin 2012, Rangnick u bë drejtor i futbollit si për RB Leipzig, ashtu edhe për Red Bull Salzburg, teksa luajti një rol të rëndësishëm në ngjitjen e të parit nga kategoria e katërt e futbollit gjerman në Bundesligë.