Transmetuar më 01-12-2021, 20:16

Një akuzë e rëndë vjen sot për kompaninë Albtelecom dhe gjyqtarin Ardian Dvorani, i cili mori nga SHBA pak kohë më parë një çmim si "Kampion i Antikorrupsionit".

Kompania turke me pronësi të pjesshme shtetërore, e cila duket se ka dalë në shitje ndërsa përballet me mori problemesh, merr edhe një goditje tjetër, pasi ish kryeministri Sali Berisha e denoncoi publikisht se ka dhënë shuma parash për gjyqtarin e famshëm Dvorani, në këmbim të fitimit të gjyqeve me shtetin.

Berisha tha se Dvorani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, mori 17 mijë euro (mbi 20 milionë lekë të vjetra) nga Albtelecom dhe në këmbim i dha fitore në gjyq për plot nëntë procese gjyqësore që Albtelecom ka pasur me shtetin.

"Gjykatësi Ardian Dvorani është një hajdut, të cilit, Albtelecom i paguan 17 mijë euro… Por çfarë përfiton Albtelecom nga gjykatës Dvorani? Përfiton nëntë vendime gjyqësore në favor të Albtelecomit, kundër agjencive shtetërore", denoncoi ish kryetari i qeverisë në vitet 2005-2013.

Berisha më tej pohoi: "Ky është një akt i turpshëm dhe ne nuk mund ta pranojmë kurrë atë".

Denoncimi i Berishës u bë nga Tropoja ku ai foli para qytetarëve në një takim publik që vjen si fushatë për denoncimin e korrupsionit në vend. /noa.al

Shënim: noa.al është e hapur nga reagime të mundshme të palëve të denoncuara

Fotogaleria, nga NOA/LSA