Transmetuar më 03-12-2021, 07:29

Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se kishte urdhëruar që të hiqej kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, por e kishte ndaluar ish-Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Lleshaj.

Haradinaj thotë se Lleshaj i kishte bërë me dije se po ta largonte atë kufi, Shqipëria do të humbte të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e BE-së.

“Me Shqipërinë duhet bashkëpunim konkret. T’i ikim kësaj idesë që të shkojmë të bëjmë disa lajme për një takim. Kufiri do të mbetet aty.

A e dini pse nuk hiqet? Kam shkuar me bagera me e hek, ka ardhur Sandër Lleshi më ka thënë të lutem kryeministër mos na e bëj këtë.

E pyeta pse? Sepse më tha, na ndalin liberalizimin dhe na ngujojnë përsëri. Nëse e do këtë atëherë vazhdo. Andaj ka mbetur ajo pikë kufitare aty”, tha Haradinaj në emisionin Pressing në T7.

Haradinaj shtoi se me Shqipërinë duhet të lidhet marrëveshja e mbrojtjes së përbashkët.

“Kur kam dashur të dërgoj ushtrinë në Thumanë kur ndodhi tërmeti, vetëm unë e di sa dokumente kam nënshkruar dhe sa procedura burokratike. Marrëveshje të përbashkët kanë edhe shtete krejt të ndryshme. Duhet t’i lëmë folkloret. Të punojmë që të bashkohemi më shumë mes nesh”, përfundoi ai.