Transmetuar më 05-12-2021, 18:36

Qeveria greke ka publikuar të dhëna mbi projektin e një rruge të re që do të lidhë Kakavijën me Janinën. Projekti do të prezantohet në 2022 dhe më 2023 buldozerët do të nisin punën.

Fondi i përcaktuar është 240 milionë euro. Qeveria greke thotë se do të marrë fonde nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e kësaj rruge, raporton noa.al duke cituar ypodomes.gr.

Sikurse del nga të dhënat e ministrisë greke të Infrastrukturës, nuk bëhet fjalë për një autostradë, por për një superstradë me gjerësi 12.5 metra ku do të ketë edhe rrugë për urgjencat.

Aktualisht rruga Kakavijë-Janinë bëhet për rreth 45 deri 60 minuta. Me investimin që nis nga fshati Kalpaki e vijon deri në qytetin e Janinës, pritet të shkurtohet me 20 minuta distanca kohore.

Fillimisht u fol për një autostradë me 6 korsi, ndër të cilat 4 do të ishin për automjetet dhe 2 për urgjencat. Në disa pjesë të aksit aktual rrugor, rruga është zgjeruar pjesërisht. Punimet do të kryhen mbi rrugën ekzistuese duke mos ndaluar lëvizjen gjatë punimeve, por gjithsesi pengesa të vazhdueshme pritet të ketë. /noa.al