Transmetuar më 20-12-2021, 19:28

Bullgaria ka vendosur të zhbllokojë çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për Shqipërinë duke bërë thirrje që të nisin bisedimet e Brukselit me Tiranën zyrtare, raporton noa.al.

Në Këshillin për Çështjet e Përgjithshme në Bruksel, Bullgaria mbështeti kornizën negociese dhe thirrjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

Nga ana tjetër, Sofja rikonfirmoi veton e saj për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.

Me këmbënguljen e Bullgarisë, Këshilli konfirmoi se zbatimi i plotë i Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit nga viti 2017 ndërmjet Sofjes dhe Shkupit është pjesë e procesit të anëtarësimit.

Ambasadori Rumen Aleksandrov shprehu gatishmërinë e Bullgarisë për vazhdimin e dialogut të drejtpërdrejtë me Shkupin për zgjidhjen e problemeve të akumuluara.

Bullgaria thotë se mbetet e angazhuar me perspektivën evropiane të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Është ende e paqartë nëse Brukseli do të vijojë të konsiderojë çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut njëherësh apo do të pranojë kërkesën e Bullgarisë për të trajtuar individualisht dy shtetet. /noa.al