Transmetuar më 23-12-2021, 09:43

Transferohet shërbimi i urgjencës kirurgjikale nga QSUT, në spitalet univerisatere të Traumës dhe ‘Shefqet Ndroqi’, i hapet rrugë investimit madhor në Spitalin Infektiv

Personat e shtruar me koronavirus në Spitalin Infektiv në QSUT po largohen nga mjediset aktuale dhe po dërgohen në reparte të tjera spitalore pasi qeveria thotë se do ta shkatërrojë për ta rindërtuar.

Noa.al raporton se trajtimi i pacientëve me COVID-19 do të bëhet vetëm në shërbimin e urgjencës kirurgjikale dhe spitalit Covid3, që të dyja, reparte të përshtatura provizorisht nga qeveria pas pandemisë.

Në këtë mënyrë, pacientët me sëmundje infektive siç është Covid-19, nga java e ardhshme nuk do të kenë asnjë repart të mirëfilltë Infektiv si ai që kanë pasur deri më sot.

Ministria e Shëndetësisë duke pohuar faktin tha sot se ndryshimet bëhen pasi do të fillojë rindërtimi i Spitalit Infektiv.

Ndërkohë kaosi dhe konfuzioni po përfshin qytetarët pasi shërbimet po transferohen gjithandej.

Shërbimi i urgjencës infektive do të jepet nga java e ardhshme në ambientet e urgjencës kirurgjikale në QSUT.

Nga ana tjetër, urgjencat kirurgjikale të Kirurgjisë së Përgjithshme Abdominale të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", do të transferohen pranë Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Universitar "Shefqet Ndroqi".

Mësohet se, ndërsa do të bëhet zhvendosja e urgjencave kirurgjikale në spitalet ‘Shefqet Ndroqi’ dhe Spitalin Universitar të Traumës, koordinimi i tyre do të kryhet nga Urgjenca Kombëtare.

Ndërhyrjet kirurgjikale të urgjencës në shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme abdominale, do të kryhen për pesë ditë në javë në Spitalin e Traumës, më konkretisht, nga dita e hënë deri të enjte si dhe ditën e dielë.

Ndërsa dy ditë në javë, të premte dhe të shtunë do të kryhen në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Të gjitha këto ndryshime do të bëhen para vitit të ri, më 27 dhjetor 2021.

Është e paqartë përse në kulmin e pandemisë shkatërrohet i vetmi spital Infektiv në vend duke çuar pacientët në reparte të përshtatura provizorisht, fakt që mund të ndikojë në cilësinë e shërbimeve që u jepen të sëmurëve me virusin vdekjeprurës. /noa.al