Transmetuar më 23-12-2021, 19:49

Një telefonatë ka mbërritur në policinë e Kosovës se një person se kishte vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Sipas këtyre burimeve të Express, dyshimet e para të policisë thonë se telefonata dyshohet të jetë realizuar nga Serbia. Sidoqoftë, kjo telefonatë ka bërë që të evakuuohet komplet Stacioni i Autobusëve, duke larguar punëtorët dhe qytetarët nga vendi i ngjarjes.

Për një periudhë kohe, Stacioni i Autobusëve në Prishtinë qëndroi i rrethuar me shirita të policisë, më pas u lirua për qarkullim pasi aty nuk u gjet asgjë e dyshimtë.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Policia e Kosovës duke thënë: “Rreth orës 14:00, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka konfirmuar gjatë ditës policia.

Pas kësaj policia konfirmoi për Express se pas kontrolleve të kryera në vendin e ngjarjes nuk u gjet asgjë e dyshimtë.