Transmetuar më 28-12-2021, 16:18

Listat e pagave që qarkullojnë së fundmi nxorrën në pah mjaft të vërteta ashtu sikurse konfirmuan thashetheme, apo shkaktuan edhe habi të ndryshme.

Një të vërtetë të madhe që ato nxorrën në pah ka të bëjë edhe me sektorin minerar në Shqipëri, sidomos nëse i hedhim një sy zonës së Bulqizës, e cila është edhe zona më e madhe e nxjerrjes së kromit në vend.

Nga listat zyrtare të tatimeve, del se kompania AlbChrome ka paga 40% më të larta, krahasuar me 5 kompanitë e tjera më të mëdha të kromit në Bulqizë, sikurse janë Albmine&Chrome, Alb Laa International, Kevger, Erli-d, Isaku apo dhe të tjera.

Te gjitha këto kompani të marra së bashku kanë deklaruar paga, mesatarja e të cilave është 44 mijë lekë në muaj, ndërkohë që pagat e deklaruara nga AlbChrome, vetëm për minatorët e Bulqizës shkojnë mesatatrisht në 62 mijë lekë. Pra mbi 40% më të larta se konkurrenca.

Fenomeni tjetër që bie ne sy, është se mjaft kompani minerare në këtë zonë, kanë të deklaruar në total  4-5 punonjës, çka është teknikisht e pamundur për të mbajtur në këmbë një kompani. Kjo dëshmon qartë se mjaft kompani nuk i deklarojnë punonjësit dhe operojnë tërësisht në të zezë, duke mos derdhur asnjë taksë në arkat e shëtit.

Ndërkohë, AlbChrome, kompania e vetme që me sa duket i ka të deklaruar të gjithë minatorët, vetëm për Bulqizën ka të regjistruar në sistem 650 minatorë, të cilët bashkë me dy uzinat në Elbasan dhe Burrel dhe zyrat qëndrore në Tiranë, shkojnë në mbi 1 mijë punonjës të deklaruar plotësisht në sistem, sikurse mund të shihet edhe në “exel”-in e famshëm të tatimeve.

Por a do të vërë dorë shteti te këto kompani fantazmë, që konkurrojnë në mënyrë të pandershme dhe operojnë në të zezë, duke iu bërë dëm si punonjësve, ashtu edhe arkave të shtetit?

Tabela e mëposhtme tregon se sa i paguajnë mesatarisht në muaj minatorët në Bulqizë kompanitë kryesore që operojnë në këtë zonë.

Duke qenë se në Bulqizë operojnë mbi 30 subjekte, kuptohet që përveç AlbChrome që i paguan mesatarisht mbi 60 mijë lekë në muaj minatorët, dhe përveç 5 kompanive të tjera, më e keqja e të cilave i paguan mesatarisht 36 mijë lekë më muaj, plot mbi 35 subjekte rezulton se i paguajnë mesatarisht minatorët nën këto shifra.

Sipas këtyre rezultateve ka vetëm dy mundësi: ose këta minatorë trajtohen dhe paguhen në mënyrë skllavërore nga kompanitë në fjalë, ose këtu jemi përballë një evazioni fiskal të përmasave të mëdha.