Transmetuar më 30-12-2021, 09:42

Padyshim që gjeli i detit mbetet ‘mbreti i tryezës’ për fund viti. Çdo familje shqiptare pothuaj mendon që ta festojnë me gjel deti natën e ndërrimit të viteve. E në fakt, edhe pse deri vonë ishte menduar se duhet shmangur, dietologë bashkëkohorë mendojnë më mirë të konsumosh gjel deti se sa ëmbëlsira për Vit të Ri!

Zona të ndryshme të Shqipërisë kanë traditat e tyre të gatimit. Por gjeli me peshesh mbetet forma më tradicionale.

Që gjeli të jetë sa më i shijshëm, duhet të mbahen parasysh disa rregulla.

Së pari puna nis me blerjen e gjelit. Zona që ka më shumë traditë është Shqipëria e Mesme. Veçanërisht Peqini. Por çdo gjel i rritur në natyrë është i shijshëm. Së dyti gjeli duhet të jetë i sivjetshëm. Gjelat e vjetër nuk ziejnë lehtë dhe nuk janë aq të shijshëm.

Pastaj vjen radha e amvisave.

Gjeli duhet të ketë madhësinë që të futet lehtë në furrë. Nëse një amvisë e di peshën e saktë të gjelit, ajo do të përllogarisë kohën e nevojshme në gatim dhe të shmangë gjasat e tharjes së tij. Pas daljes nga furra, gjeli i detit ka nevojë për kohë që të rrijë në temperaturë ambienti. Për shembull nëse gjeli peshon diku nga 4 në 6 kilogramë, atëherë ai duhet të qëndrojë në temperaturë ambienti për 1 orë e gjysmë. Nëse gjeli peshon mbi 6 kilogramë atëherë ai duhet të qëndrojë për 2 orë. Gjeli gatuhet mirë në furrën e ngrohur në 180 gradë. Një gjel që peshon nga 4 në 5 kilogramë ka nevojë për 2 deri në 2 orë e gjysëm që të piqet siç duhet. Një gjel që peshon nga 5 deri në 6 kilogramë ka nevojë për 2 orë e gjysëm deri në 3 orë për tu pjekur. Gjeli me peshë nga 6 deri në 7 kilogramë gatuhet për 3 deri në 3 orë e gjysmë. Gjeli që peshon nga 7 deri në 8 kilogramë piqet në furrë për 3 orë e gjysmë deri në 4 orë. Gjeli me peshë nga 8 deri në 9 kilogramë kërkon 4 orë deri në 4 orë e çerek pjekje. Një gjel që peshon nga 9 deri në 10 kilogramë duhet të piqet nga 4 orë e çerek deri në 4 orë e gjysmë. Furra duhet ndezur të paktën 20 minuta përpara gatimit. Gjeli duhet mbështjellë me letër pjekjeje kur të futet në furrë.

Letra e pjekjes duhet hequr një orë përpara nxjerrjes së gjelit nga furra.

Kështu, lëkura e tij do të marrë një ngjyrë kafe.

Pas pjekjes, ju mund ta mbështillni gjelin lirshëm me letër alumini dhe ta mbani të mbuluar për të paktën një orë.

Gatimi i gjelit me peshesh

Për lëngun duhet: -nenezhik i thate 2-luge gjelle -nje qepe mesatare -leng gjeli -ujë

Pergatitja:

Ziejmë gjelin e detit në një tenxhere të thellë me ujë dhe kripë.Më pas, kur e shikojmë që është gati, e fusim në një tavë pjekje duke i hedhur pak lëng nga i veti në mënyrë që të mos thahet. Një sekret për një pjekje sa më të mirë është edhe ai i mbështjelljes me letër alumini të gjelit.Kur e shihni se ka arritur butësinë e duhur, heqim letrën dhe e lemë të marri faqe. Pjekja do të bëhet në temperaturë 200°. Kur gjeli të jetë thuajse gati, përgatisim përsheshin me bukën. Në një tenxhere të thellë kavardisim qepën e grirë hollë, derisa të zverdhet në gjalpë. Më pas shtojmë lëngun e gjelit në sasinë e duhur, e lëmë të ziejë për disa minuta duke shtuar nenexhikun apo menten. Mbytim persheshin në lëng dhe servirim në pjata se bashku me gjelin e pjekur.

Gjel deti i mbushur Për 10- 12 persona, na duhen: gjel deti – 7 kg 50 g gjalpë i shkrirë ½ kokërr limoni ose portokalli kripë piper Për mbushjen, na nevojiten: 350 g qepë të grira imët 200 g selino të grirë hollë të brendshmet e gjelit të detit 130 g rrush të thatë dhe arra të qëruara 10 ullinj të zinj 1 mollë jeshile 2 feta bukë të thekura kripë piper i zi

Përgatitja:

Gjelin e detit e kemi pastruar, i heqim të brendshmet, të cilat i vendosim në një enë pasi do të na shërbejnë për mbushjen. Pasi e kemi shpëlarë me ujë të ftohtë, bëhemi gati për mbushjen e gjelit.

Përgatitja e mbushjes:

Të brendshmet e gjelit i kemi vendosur të ziejnë në një enë me ujë të nxehtë. Në ujë kemi hedhur paraprakisht kripë. Në një tigan kemi vendosur të skuqet pak qepa, në të shtojmë të brendshmet e ziera dhe i kavardisim së bashku. E heqim nga zjarri dhe masës së krijuar, do t’i shtojmë mollën e grirë, rrushin e thatë, arrat dhe bukën e thekur të shkërmoqur me duar. Shtojmë ullinjtë, kripën dhe piperin dhe e përziejmë. Në pjesën e brendshme të gjelit vendosim masën e krijuar. Gjelin e mbushur e lidhim me spango, në mënyrë që masa të mos na dalë jashtë barkut të tij.

Gjelin e lyejmë më gjalpë në çdo pjesë të tij, si edhe e spërkasim me kripë. E vendosim në tavën e nxehur të cilën e kemi lyer me gjalpë dhe jemi gati për të kryer procesin e pjekjes. E vendosim në furrë në temperaturën 180 gradë. Procesi i pjekjes mund të zgjasë deri në 2 orë, po kjo mbetet relative.

Pasi gjeli ka marrë ngjyrë të artë, ai është gati për t’u prerë në feta dhe për t;u servirur në pjatat tuaja.

Gjel deti me salcë gështenjash Për 4-5 persona nevojiten: gjel deti (3- 4 kg) 200 g gjalpë 1 filxhan çaji gështenja të qëruara 1 kokërr hudhër uthull kripë piper

Përgatitja:

Gjelin, të cilin e kemi pastruar paraprakisht, e vendosim në një tenxhere me ujë të vluar për të kryer procesin e zierjes. Në ujë kemi shtuar 2 lugë çaji kripë dhe piper.

Ndërkohë që gjeli kryen procesin e zierjes, ne përgatisim salcën e gështenjave. Pasi është zier plotësisht, e vendosim në një tavë të cilën e kemi lyer me gjalpë dhe e fusim në furrë të piqet në temperaturën 180 gradë celsius. Pjekja kryhet si një proces i ngadaltë, në mënyrë që të jetë e njëtrajtshme.

Në një tjetër enë kemi hedhur 200 gramë gjalpë, të cilin e përziejmë me 50 gramë miell. Në masën e krijuar shtojmë lëngun e gjelit, të cilin e kemi hequr në një anë gjatë procesit të zierjes. I trazojmë derisa të krijohet një masë homogjene. E lëmë të ziejë për 2-3 minuta. Gështenjat, të cilat më parë i kemi zier dhe qëruar, i shtypim derisa të krijojnë një masë, të cilën do t’ia shtojmë salcës së përgatitur. E trazojmë në mënyrë që mos të na krijojë kokrriza, shtojmë 3-4 thelpinj hudhra të shtypura, 2 lugë kafeje me kripë dhe piper sipas dëshirës. Salca e përgatitur i shtohet sipër mishit të gjelit të servirur në pjatë.

Gjel deti me salcë

Gjelin e detit të papjekur e kemi ndarë në feta, të cilat duken si bërxolla. Për të përgatitur gjelin e prerë, na nevojiten: 3 kokrra qepë piper i zi 1 filxhan kafeje vaj ulliri 3-4 gjethe dafine kripë.

Përgatitja:

Qepët i qërojmë dhe i presim në kubikë të vegjël. Në një enë kemi hedhur ujë, shtojmë qepën e prerë, piperin, dafinën, si edhe vajin e ullirit. Në momentin që uji është pakësuar, shtojmë gjalpin dhe e përziejmë së bashku.

Mishin e gjelit të prerë në feta, e vendosim të ziejë në një enë më ujë, ku kemi hedhur 2 lugë çaji kripë dhe piper. Pasi është zier plotësisht, fetat i vendosim në një tavë, të cilën më parë e kemi lyer me gjalpë. Mishin e gjelit të detit e lyejmë edhe me limon, që të bëhet edhe më i shijshëm. E fusim në furrë në temperaturën 180 gradë. Pasi mishi të ketë marrë një ngjyrë të artë, ai është i pjekur plotësisht. Në një pjatë servirim fetat e mishit të gjelit dhe mbi to shtojmë salcën e përgatitur më parë. Ju bëftë mirë!