Transmetuar më 01-01-2022, 22:19

Flamur Rexha, 44 vjeçari shqiptar nga Kosova, që dyshohet se vrau dy djemtë e tij (11 dhe 13 -vjeç), plagosi gruan dhe më pas bëri vetëvrasje, nesër do të përcillet në banesën e fundit.

Kështu kanë bërë të ditur familjarët përmes Facebookut dhe kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet në fshatin Ponoshec të Gjakovës.

Kujtojmë se gruaja e Flamurit, 38 vjeçarja Avdije Rexha, është ka dalë nga koma.

Ajo i mbijetoi gjakderdhjes, por ende nuk është në gjendje të merret në pyetje, raporton noa.al duke cituar të përditshmen gjermane Bild.

Vëllai i Flamur Rexhës, Zenel Rexha, ka kërkuar që të ndjerit t’i bëhet ekspertim mjeko-ligjor edhe në Kosovë.

Trupi i Flamur Rexhës mbërriti një ditë më parë në Kosovë dhe vëllai pohon se ka hasur në vështirësi për të bërë ekspertizë mjeko-ligjore.

“Kemi lajmëruar rastin në polici pasi kufoma kishte arritur në aeroport. Përmes telefonit kemi folur me një prokuror i cili e ka refuzuar obduksionin me arsyetimin se nuk ka nevojë pasi është kryer në Gjermani. Por ne si familjarë kemi dyshime pasi atje nuk na kanë treguar asgjë dhe duam të dimë saktësisht çfarë ka ndodhur”, ka thënë Zenel Rexha.

Zenel Rexha

Është e paqartë pse ndodhi masakra shqiptare në Hamburg të Gjermanisë. Sipas informacioneve të para, familja kishte pasur konflikte edhe në të kaluarën, konkretisht në vitin 2020.