Transmetuar më 04-01-2022, 12:23

Nëse i referohemi ligjit shqiptar, qytetarët e vendit për vitin 2022 kanë të drejtë të bëjnë të paktën 147 ditë pushimi.

Më konkretisht, 4 javë ose 28 ditë janë pushimet vjetore që i takojnë çdo qytetari në marrëdhënie pune me kohë të plotë në sektorin publik ose privat edhe pse ligji parashikon vetëm 2 javë për privatët.

Gjithsej gjatë vitit 2022 janë plot 105 ditë pushimi javor të shtrira në 12 muajt, ku 4 muaj kanë pesë fundjava.

Ligji parashikon dy ditë pushimi në javë, por mundëson vetëm një të tillë për sektorin privat.

Gjatë 2022 janë edhe 14 ditë që janë festa zyrtare, kombëtare ose fetare të cilat sipas ligjit janë pushim, por që në privat sërish nuk është e detyrueshme.

Veç këtyre ditëve, këtë 2022, ndër festat zyrtare që shikoni më poshtë, janë disa prej tyre që bien në fundjavë ndaj barten të hënën pasardhëse.

Ndaj pushimi zyrtar janë edhe e hëna 3 janar 2022, e marta 4 janar (për ditën e dytë radhazi pushimi, qeveria ka nxjerrë një qarkore që e heq këtë të drejtë, por në disa sektorë, si bankat dhe kompanitë serioze, ajo qarkore nuk zbatohet pasi është shkelje e të drejtës së pushimit të qytetarëve).

Pushim shtesë janë sivjet edhe e hëna 18 prill, e marta 25 prill, e hëna 2 maj. Këtu ka një fakt interesant: Do të jenë katër ditë pushim, e shtuna, e diela, e hëna dhe e marta.

Pushim shtesë janë dhe e hëna 11 korrik, si dhe e hëna 26 dhjetor.

E pra, pushime me bollëk për 2022, ku gati gjysma janë pushim e pjesa tjetër punë. /noa.al