Transmetuar më 05-01-2022, 15:41

Zhduket në rrethana misterioze nëna e 4 fëmijëve. Fakti konfirmohet nga vëllai i saj.

Pas punës, A.I. nga Podujeva thotë se e ka marrë motrën E.B. 31 vjeçe nga shtëpia e burrit, për ta festuar natën e dytë të Vitit të Ri. Bashkë me 31-vjeçaren ishin edhe katër fëmijët e saj.

E gjithë familja kishte festuar bashkë, e pas festës ishin shpërndarë për të fjetur. Por, atë mesnatë, E.B. kishte dalë nga shtëpia e vëllait, duke i lënë aty edhe katër fëmijët e saj.

Vëllai i 31-vjeçares ka deklaruar se familja nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimtë te ajo.

“Ku është nuk e dimë, veç na ka bë shumë merak. Atë natë unë pas punës e kam marrë bashkë me fëmijët, për ta festuar natën e dytë të Vitit të Ri. Kemi festu, kemi ndenjur të gjithë bashkë, e pastaj jemi shpërnda nëpër dhoma me fjet”, ka deklaruar A.I.

Ai tha se në kamerat e sigurisë që gjenden afërsi shtëpisë së tij, e ka parë motrën duke u larguar në mesnatë.

“I kam kthye kamerat, e kam pa që është largu prej shtëpisë në orën 01:46, i ka marrë dy valixhe”, ka deklaruar ai.

A.I. thotë se nuk kishte vërejtur ndonjë pakënaqësi te motra e tij, e cila po qëndronte te shtëpia e bashkëshortit, i cili ka vdekur qe tri vite.

“Unë punoj te familja e ish-burrit të saj, nëse motra nuk kish kalu mirë unë s’kisha punu. Jetën e ka pasë shumë të mirë, ka kalu mirë, është familje shumë e mirë. Burri i ka vdekur qe tri vite, por ajo ka vazhdu me qëndru bashkë me fëmijët sepse e kanë pasur jetën e mirë. Me fëmijët ka qenë shumë e lidhur, ekstrem e lidhur. Fëmijët e saj janë më të mirët në shkollë, janë të edukuar”, ka deklaruar ai.

Lajmin e zhdukjes e konfirmon edhe policia e Kosovës.