Transmetuar më 09-01-2022, 17:24

Edi Rama postoi sot një foto duke bërë pazar pas bashkëbisedimit live në Facebook me demokratët siç kish njoftuar ai.

“Kur i thua gruas po kthehem nga puna dhe të thotë mos hajde pa domate”, shkruajti ai në foton në fjalë.

Kanë reaguar menjëherë ndjekësit e tij duke u pyetur nëse i ka kapur më çmim të mirë domatet, duke i kujtuar se çmimet e tyre janë të shtrenjta.

“Lum si ti qe mundesh të bësh pazar i qetë për çmimet që janë. Unë kam qe nga korriku që specat dhe domatet vetëm sa i shikoj me nostalgji, por duhet të jem i lumtur që kryeministri i plotëson çdo nevojë familjes së tij”, shkruan një komentues.

“Po bën mirë që shkon në treg të shikosh çmimet sa kanë shkuar dhe të bësh pazar edhe në rrethe të tjera të vendit o shoku km”, vijon një tjetër.

“Besoj se i ka paguar me një ‘share’ në Facebok se ndryshe s’ka mundësi se ka shkuar 500 lek 1 kile domate”, i thotë një tjetër.

Në fakt, në foton e publikuar nga Rama shihet tabela e çmimit të pomodorinit 400 lek për kilogram, ose rreth një e treta e ditës së punës së një qytetari me rrogë mesatare në Shqipëri.