Transmetuar më 11-01-2022, 10:27

Vdekja tragjike e fëmijës 3-vjeçar në Institucionin Parashkollor jopublik në Fier është përjetuar me dhimbje nga të gjithë. Edhe pse ngjarja u kualifikua si aksidentale, policia ka ndaluar edukatoren që kishte nën mbikëqyrje të ndjerin, për të kuptuar pozicionin e saj.

Në media dje u raportua se edukatorja kishte ngarkesë më të lartë mbikëqyrjeje duke u kujdesur për 12 fëmijë në grup.

Të pyetur sot nga mediat, drejtuesit e institucionit, bënë të ditur se referuar regjistrimeve të konfirmuara nga financa, të fëmijëve në këtë grup për sezonin 2021-2022, janë pranuar gjithsej 8 fëmijë.

Edukatoret pohuan ndërkohë se, rregullisht kanë ardhur 4 deri 5 fëmijë, ndërsa ditën e ngjarjes, ishin të pranishëm 4 fëmijë.

Ngjarja tragjike ndodhi të premten pas mesdite. Drejtoria rajonale e Fierit tha se "specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, arrestuan shtetasen R. B., 27 vjeçe, banuese në Fier, pasi në kopshtin privat ku punonte si edukatore, ka humbur jetën aksidentalisht fëmija i mitur 3 vjeç, i cili duhej të ishte nën mbikëqyrjen e kësaj shtetaseje". Edukatorja e dyshuar ishte kontraktuar në këtë çerdhe nga Zyra e Punës në Fier.

Mësohet se në çerdhen dhe kopshtin e këtij institucioni arsimor jopublik, shumë prej tyre janë fëmijë të stafit të këtij institucioni dhe trajtohen pa pagesë, pasi shpenzimet mbulohen nga vetë institucioni.