Transmetuar më 12-01-2022, 08:39

Një autobus i mbushur me shtetas kosovarë është aksidentuar mbrëmjen e kaluar në Serbi. 9 pasagjerë mbetën të lënduar dhe u dërguan për ndihmë në spital.

Ngjarja ndodhi në Krushevc të Serbisë.

Njëri prej udhëtarëve u shpreh se ‘shkak është bërë rruga pasi nuk ka qenë e pastruar nga autoritetet serbe’.

Sipas tij shoferi i autobusit nuk ka asnjë faj sepse as nuk ka qenë duke ecur me shpejtësi të madhe, meqë edhe kushtet e rrugës nuk e lejonin një gjë të tillë.

Udhëtari tha se autobusi ka qenë i mbushur plot, pa asnjë vend të lirë. Sipas tij, reagimi i organeve të rendit të shtetit serb ka qenë i shpejtë në ndërhyrje dhe se gjithçka ka qenë normale.

“Ka ardhur një autobus tjetër për të na marrë. Jemi në afërsi të Krushevcit”, tha udhëtari për mediat.

“Të gjithë kemi qenë duke fjetur në atë moment. Mes nesh ka pasur edhe fëmijë dhe një person me aftësi të kufizuara, por të gjithë jemi mobilizuar për t’i ndihmuar njëri-tjetrit dhe të gjithë jemi mirë”, deklaroi ai.