Transmetuar më 14-01-2022, 13:55

Bayern Munich do të duhet të bëjë pa Alphonso Davies për disa javë. Këtë e ka bërë të ditur trajneri bavarez, Jules Nagelsmann, i cili në konferencën për shtyp ka treguar se tek anësori kanadez është konstatuar një miokardit i lehtë, i cili do ta detyrojë të ndalojë përkohësisht:

"Alphonso Davies do të duhet të qëndrojë jashtë për disa javë, sepse pas pozitivitetit të tij ndaj Covid-19, është diagnostikuar me një miokardit të lehtë. Asgjë dramatike, por do t’i duhet të vëzhgohet nga mjekët dhe të ketë një periudhë pushimi".

Tekniku gjerman më pas saktësoi se nuk ka siguri për korrelacion midis këtij problemi dhe pozitivitetit të fundit ndaj Covid-19 të lojtarit, që në çdo rast ka përfunduar ciklin e vaksinimit:

"Nuk e dimë me siguri nëse ky problem është ndikuar nga pozitiviteti i fundit për Covid-19. Ekziston kjo mundësi, por nuk ka siguri".

Covid-19 është një shkaktar i zakonshëm i miokarditit, inflamacion i miokardit, që është indi muskulor i zemrës. Këtë sezon, Davies ka bërë 23 paraqitje zyrtare me fanellën e klubit kampion gjerman, mes Bundesligës dhe kupave, duke dhënë gjithsej 6 asiste.