Transmetuar më 14-01-2022, 15:13

Patrice Evra, i intervistuar nga L’Equipe, foli për lamtumirën e tij nga Manchester United në vitin 2014, duke shkuar te Juventusi: "Gruaja ime e kishte të vështirë të jetonte në Manchester, mora një vendim që nuk ishte i imi.

Sidoqoftë, nuk pendohem për asgjë. E doja Juventusin dhe, kur arritëm në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2015, Manchester United nuk po kishte rezultate të mira. Gruaja ime më tha: E shikon… Kisha të drejtë që të thashë të vish në Torino.

Unë iu përgjigja: Ah sikur të fitoja Championsin! Megjithatë, pesë trofetë me Juven nuk do ta ndryshonin në asgjë dashurinë që kam për Manchester Unitedin. Madje, do të kisha bërë edhe kopshtarin për ta përfunduar karrierën time te Manchester United, me gjithë respektin e duhur për kopshtarët".

Gjatë kësaj interviste, Patrice Evra foli edhe për Paul Pogba, duke dhënë lajme të rëndësishme për të ardhmen e mesfushorit të Manchester United, të cilit i ka skaduar kontrata. Sipas ish-mbrojtësit të krahut, vështirë se do të rinovojë:

“Është çështje e ndërlikuar. Paul nuk ndihet i dashuruar në Angli, veçanërisht nga ish-lojtarët. Shumë argumentojnë se mund të bënte më shumë, por ajo që shoh është kryesisht një kritizëm ndaj gjërave si prerja e flokëve apo rrobave të tij. Kur luan me kombëtaren franceze është shumë në formë, kur kthehet në Manchester fillojnë sërish problemet".