Transmetuar më 17-01-2022, 10:58

Kohët e fundit, ai deklaroi se dëshiron të marrë pjesë në Botërorin e ardhshëm të Katarit, planifikuar për në fund të këtij viti, duke dashur t’iu tregojë të gjithëve se mund të vazhdojë të luajë futboll.

Christian Eriksen duket se ka ide të qarta. Interes i fortë për të nga disa klube angleze, një mundësi për të zyrtarizuar nënshkrimin e tij deri në fund të janarit.

Për Eriksen do të ishte padyshim një hap i rëndësishëm, pas rikthimit në stërvitje me Chiasso dhe Odense. Do të ishte një kapitull tjetër në një histori vërtet delikate.

Pas asaj që ndodhi në ndeshjen kundër Finlandës, qershorin e kaluar, mesfushori mund të provojë vërtet se mund t’ia dalë fizikisht: “Do të luaj futboll dhe do të tregoj se jam rikthyer në të njëjtin nivel si më parë.

Do të tregoj se arresti kardiak gjatë ndeshjes ishte një episod dhe nuk do të ndodhë më, se e kam kapërcyer dhe se mund të luaj sërish për kombëtaren. Do të varet nga trajneri, por zemra ime nuk është pengesë”.

I lirë, pas përfundimit të kontratës me Interin, e ardhmja mund ta shohë së shpejti në fushë, duke bërë atë që pëlqen të bëjë, të luajë futboll.

Siç raporton “The Sunday Times”, mesfushori danez është shumë pranë një “kthimi sensacional në Premier League”, tashmë në ditët në vijim.