Transmetuar më 18-01-2022, 10:59

Pas vizitës në Laç presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan mori pjesë në ceremoninë e restaurimit të xhamisë ‘Et’hem Beu’ në Tiranë bashkë me kryeministrin Edi Rama.

Por ajo që ra në sy ishte se në ceremoni nuk ishin të pranishëm drejtuesit e Komunitetit Mysliman, që kanë nën administrim xhaminë Et’hem Beu. Më herët u raportua se qeveria nuk e ka ftuar KMSH që të jetë pjesë e ceremonisë. Përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe kryetarit të saj thanë dje se nuk do të jenë prezentë të hënën e 17 janarit, në asnjë nga aktivitetet e parashikuara në agjendën e vizitës së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Tiranë.

Vetë kryetari i KMSH, Bujar Spahiu, bëri thjesht një postim online nga Kurani në ditën e vizitës së Erdogan.

“Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjitha këto do të merren në përgjegjësi.

Mos ec nëpër tokë me mendjemadhësi, se ti, në të vërtetë, nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve”, thuhet në postimin e tij.

Në xhaminë e Namazgjasë punimet janë ndërprerë dhe kjo për shkak të përplasjeve që janë mes Komunitetit Mysliman Shqiptarë dhe Presidentit të Turqisë, Erdogan.

Mediat turke vazhdimisht është shkruar se Komuniteti Mysliman Shqiptar në vitet e fundit drejtohet nga njerëz që mbështesin Gylenin dhe organizatën FETO, kundërshtarin politik të Presidentit Erdogan.

Kjo ka bërë që punimet të ndërpriten dhe një monument i tillë jo vetëm kulturor por edhe fatar të shihet si një objekt mahnitës në zemër të Tiranës, por pa akses përdorshmërie.

Edhe në komentet në profilin e kreut të KMSH, Bujar Spahiu shihet përplasje e ashpër nëpërmjet mbështetësve të Erdoganit dhe të Komunitetit Mysliman.

‘Po shisni pronat, Allahu do ju dënojë’- thotë një komentues. ‘Shko puthi b*let Erdoganit ti BQ Kavaje’ akuzon më rëndë një tjetër.