Transmetuar më 18-01-2022, 11:26

Java e 16-të e Superiores do ta ulë siparin nesër, me ndeshjen Kukësi-Dinamo. Një përballje mjaft interesante, e para e vitit 2022 për të dyja skuadrat. Blutë e Shkëmbit janë më afër fundit të renditjes, ndërsa verilindorët ndjekin kreun e mbajtur nga Tirana. Në konferencën për shtyp, trajneri i “nëndetëses” ka nënvizuar mes të tjerash:

“Mund të ndodhte që investimet të tërhiqeshin apo të kishte hapa pas, por presidenti na ka mbështetur. Kemi bërë afrimet më të mira të mundshme, që mund të na lejonte ky moment, pra merkaton e janarit.

Reginaldo? Mendoj se duhet të jetë në 100 për qind për të luajtur. Asnjëri nga tre lojtarët e afruar nuk është për momentin plotësisht gati. Do ta tregojnë nivelin e tyre për aq mundësi fizike sa kanë. Presim edhe një lojtar tjetër, këto ditë pritet të firmosë, sepse kemi rënë dakord. Është një qendërmbrojtës.

Presioni? Patjetër që e ndiejmë. Në futboll ka presion në çdo ndeshje, për më tepër ne që nuk po kalojmë një kohë të mirë. Vitin e ri shpresojmë të bëjmë mirë, të kemi edhe fatin me vete. Do të jetë një Dinamo ndryshe nga ajo që ka qenë deri tani.

Çdo ndeshje në Shqipëri është pothuajse njësoj. Kukësin e komplimetojmë për pozicionin që ka, por është një ndeshje si gjithë të tjerat. Do të japim maksimumin për të fituar.

Shtyrja e ndeshjes sonë nga të tjerat? Nuk e dimë pse ndodhi, për stadiumin, temperaturën, Covid-in. Kukësi nuk ka ndeshje Kupe, ndërsa ne kemi ngjeshje në kalendar. Si klub jemi me zemër të madhe dhe luajmë kur ta vendosin.

Skuka? I falënderojmë të gjithë lojtarët që kanë qenë me ne. Më bëhet qejfi që ka bërë paraqitje të mira dhe i uroj suksese. Nuk jam pishman për asnjë largim. E ndiej skuadrën që bën mirë në stërvitje dhe jam i bindur se do të marrim fitoren. Në futboll vlen edhe fati. Në ndeshjen e parë me Kukësin nuk meritonim të humbisnim.

Diferenca me kreun? Do të mendojmë për ndeshjen e radhës, si gjithmonë. Në Shqipëri ka prova që, nëse fiton 2-3 ndeshje radhazi, objektivat ndryshojnë. Duke kaluar ndeshjet, objektivi ndyshon. E rëndësishme për ne është Kupa. Do ta vazhdojmë garën në të dyja frontet, me mundësitë që kemi”.

Trajneri i Dinamos pati një përgjigje edhe për Longo, kolegun e Kukësit, i cili u ankua se i “spiunuan” stërvitjen: “Longo ka parë shumë filma me partizanë dhe spiunë në Itali. Në atë kompleks stërviten disa skuadra, ka qenë stafi ynë dhe i Partizanit në kafe.

Aty ka qenë edhe Kukësi, duke parë stërvitjet tona. Ne nuk shkojmë për të parë stërvitjet e tyre. Longo është i zoti, sepse e tregon puna, është i mirë edhe me ato që nxjerr nga goja”.