Transmetuar më 19-01-2022, 14:20

Eliza Tozaj, 16-vjeçarja nga Vlora, e cila humbi gjurmët nga Vlora mesditën e 14 janarit të këtij viti, ësshtë gjetur më në fund nga policia.

Mësohet se e mitura ishte duke qëndruar në banesën e një të njohure të saj në Vlorë, pavarësisht se familja ishte në merak për të, dhe kishte nisur kërkimet.

Nëna e saj tregoi për mediat se Eliza ishte lidhur me një djalë më të madh në moshë, lidhje e cila nuk kishte marrë dakordësinë e familjes dhe për këtë kishin debatuar. Nëna e saj dyshonte tek djali me të cilin mesa duket adoleshentja kishte krijuar një raport.

"Vajza ishte lidhur me një djalë, që është shumë më i madh në moshë dhe prandaj ne nuk donim. Unë u konfliktova për këtë gjë me vajzën dhe mesa duket ajo u largua. Kjo është hera e dytë që vajza më ikën nga shtëpia. Të premten më 14 janar nuk u kthye në shtëpi, pas orarit të mësimit.

Ajo po vonohej dhe unë mora në telefon mësuesen kujdestare, e cila më tha se vajza kishte qenë në mësim dhe nuk kishte shfaqur probleme. Ajo kishte qenë e qetë dhe kishte zhvilluar mësimin normalisht.

Tek banesa e djalit nuk kemi shkuar, por e kemi pyetur ditën që vajza u largua më 14 janar. Ai djalë më tregoi disa nga mesazhet që kishte patur me Elizën, dhe ai është personi i fundit që kishte folur në orën 12 pak para se të zhdukej", shprehej e ëma e vajzës.